Ibrahimi: Protestojmë më një shtator për shkak se nuk po gjejmë dialog me qeverinë

Drejtori Ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, në një intervistë në EURO n’T7 ka thënë se kanë tentuar që gjashtë vite që të dialogojnë me qeverinë për probleme komunale, por se kjo ka qenë e pamundur dhe se protestat kanë mbetur alternativa e vetme.
“Ne kemi shteruar të gjitha mundësitë për dialogim me nivelin qendror dhe protesta e thirrur më një shtator ka qenë si grumbullim i problemeve të komunave të cilat udhëhiqen nga kryetarët. Ata në takimet tona kanë theksuar se që disa vite po mundohen të dialogojnë me qeverinë, mirëpo nuk ka zgjidhje. Është e pazakontë në Kosovën e pasluftës, nuk ka ndodhur asnjëherë që të kemi një mllef të grumbulluar për moszgjidhjen e problemeve komunale. Qeveritë e kaluara, kur kemi pasur probleme, i kemi dialoguar dhe i kemi zgjidhur ato probleme. Sot nuk kemi as takime”, ka thënë Ibrahimi.
Ibrahimi, i cili udhëheq Asociacionin e Komunave që më shumë se 20 vite, ka thënë se kurrë në të kaluarën me asnjërin nga kryeministrat, duke filluar nga Bajram Rexhepi, Ramush Haradinaj, Hashim Thaçi, Isa Mustafa e në fund prapë Ramush Haradinaj, nuk ka ndodhur që komunat të mos kenë dialog me qeverinë sikur po ndodh me qeverinë aktuale.

Lexo edheBE: Procesi i konstituimit të institucioneve të vazhdojë pa vonesa të mëtejshme
Sipas tij, problemi kryesor mbetet Kontrata Kolektive, e cila po u shkakton dëme të mëdha komunave derisa qeveria nuk është e gatshme të ofrojë asnjë zgjidhje.
“Problemi është se qeveria as nuk ka dashur të dëgjojë për problemet me të cilat po ballafaqohen komunat për shkak të Kontratës Kolektive. E vetmja përgjigje që kemi marrë nga ta është që kjo kontratë është nënshkruar nga ish-qeveritë dhe këto janë joligjore”, ka thënë Ibrahimi.












