Kampioni i Kosovës, Drita, ka shkruar histori sonte në Luksemburg duke u bërë klubi i parë kosovar që kalon raundin e parë të Ligës së Kampionëve.
Skuadra nga Gjilani triumfoi si mysafire e Differdange 03 me rezultat 3-2, ndërsa me fitoren 1-0 në ndeshjen e parë në Prishtinë, Drita e mbylli dy ndeshjet me rezultat të përgjithshëm 4-2.
Drita e hapi takimin në mënyrën më të mirë të mundshme. Në minutën e 4-të, Besnik Krasniqi asistoi bukur për Liridon Balajn, i cili e dërgoi topin në zonë ku Arb Manaj me një goditje të menjëhershme shënoi për 1-0.
Dominimi i gjilanasve vazhdoi dhe në minutën e 17-të, pas një tollovie në zonë, ishte sërish Manaj që reagoi më mirë dhe e dërgoi topin në rrjetë për rezultatin 2-0.
Diferenca u ngushtua në minutën e 28-të kur Theo Brusco shfrytëzoi një moment pasigurie në mbrojtje dhe shënoi nga afër për 2-1.
Pas këtij goli, skuadra vendase filloi të luajë më ashpër dhe gjyqtari akordoi pesë minuta shtesë në fund të pjesës së parë.
Në pjesën e dytë, Differdange rriti intensitetin, por Faton Maloku ishte në lartësinë e duhur, duke ndalur çdo përpjekje të vendasve.
Në minutën e 84-të, Veton Tusha pati rast ideal për të mbyllur ndeshjen, por nga një pozicion i pastër gjuajti mbi portë.
Kur pritej fundi i sfidës, në minutën e 88-të, Differdange fitoi penallti pas ndërhyrjes së VAR-it. Samir Hadji u tregua i saktë nga pika e bardhë, duke barazuar rezultatin në 2-2.
Vendasit u hodhën tërësisht në sulm në kërkim të golit të tretë, por kjo i kushtoi. Në minutat shtesë, Drita shfrytëzoi hapësirat prapa dhe Veton Tusha realizoi për 3-2, duke vulosur fitoren dhe kalimin tutje.
Një arritje historike për futbollin e Kosovës. Me këtë rezultat, Drita kualifikohet për në raundin e dytë të Ligës së Kampionëve dhe vendos një gur themeli për klubet kosovare në arenën evropiane.