Lokalet të cilat gjenden në lagjen ‘Pejton’, përgjatë katedrales ‘Nënë Tereza’ janë bërë strehë e alkoolit dhe duhanit. Madje ato po përdoren edhe si tualete publike. Këtë shqetësim po e shprehin qytetarët të cilët banojnë përgjatë kësaj lagjeje. Ka më shumë se një vit që kur janë ndërtuar ato lokale e që nuk janë vënë në funksion nga ana e zyrtarëve të komunës së Prishtinës.
Një qytetar i kësaj ane ka thënë për Express se janë të shqetësuar nga prania e njerëzve të shumtë të cilët deri në orët e vona të natës qëndrojnë në këto lokale duke pirë alkool.
“Ne si banorë të kësaj lagjeje jemi të shqetësuar për këtë objekt i cili po përdoret si vend ku përdoret alkooli e droga të ndryshme. Nuk po kemi mundësi të dalim natën e mos të shohim lloj-lloj njerëzish nëpër korridore”, ka thënë një qytetar i asaj ane.
Thotë se kanë kërkuar takim me kreun e Prishtinës, Shpend Ahmetin, për të biseduar rreth kësaj çështjeje, por që sipas tyre, Ahmeti nuk po i pranon në takim.
“Kryetari nuk na pranon në takim edhe pse kemi bërë kërkesa të vazhdueshme që me e lëshu lagjen në qarkullim ose me i mbyll do pjesë te asaj lagje deri sa të lëshohen lokalet. Siguria jonë është e cenuar nga huliganë të ndryshëm”.