back to top
Thursday, July 24, 2025
BallinaLajmeLajmet e FunditLigji për agjencitë kundër korrupsionit nxit protesta në Ukrainë dhe kritika ndërkombëtare

Ligji për agjencitë kundër korrupsionit nxit protesta në Ukrainë dhe kritika ndërkombëtare

Të ngjajshme

Një ligj i ri që kufizon pavarësinë e dy agjencive kryesore kundër korrupsionit në Ukrainë ka shkaktuar reagime të ashpra kundër presidentit Volodymyr Zelensky, me protesta që kanë shpërthyer në rrugët e qyteteve të ndryshme ukrainase dhe paralajmërimeve serioze nga shtetet evropiane, aleatë kyç në luftën kundër Rusisë.

Zyrtarë të Byrosë Kombëtare Kundër Korrupsionit të Ukrainës (NABU) dhe Zyrës së Prokurorisë së Specializuar Kundër Korrupsionit (SAPO) u takuan me Zelenskyn më 23 korrik për të kërkuar shfuqizimin e ligjit. Ky takim u realizua më pak se 24 orë pasi presidenti e kishte nënshkruar atë në ligj.

“NABU dhe SAPO po privohen nga garancitë që më parë u mundësonin të përmbushnin në mënyrë efektive detyrat dhe funksionet e tyre në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë”, u tha në një postim të përbashkët të dy agjencive të publikuar në Telegram më 23 korrik.

Zelensky ka thënë se vendimi për t’i vënë këto agjenci nën kontrollin e prokurorit të Përgjithshëm – një zyrtar që emërohet nga presidenti – është marrë për t’i çliruar ato nga ndikimi i supozuar rus. Megjithatë, puna e këtyre agjencive konsiderohet jetike për rrugën e Ukrainës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

“E dëgjojmë popullin”, tha Zelensky pas takimit, duke shtuar se, së bashku me autoritetet kryesore të sigurisë së shtetit dhe drejtuesit e agjencive, është arritur një marrëveshje për të hartuar një plan të përbashkët se si të operohet gjatë dy javëve të ardhshme.

Megjithatë, zyrtarët e NABU-s dhe SAPO-s theksuan se ndryshimet e miratuara ligjore kufizojnë ndjeshëm pavarësinë e tyre dhe se nevojiten “hapa të qartë” për të rikthyer garancitë kundër ndërhyrjes së Qeverisë, që më parë u ishin siguruar.

Bashkimi Evropian e quajti miratimin e ligjit “një kthim serioz prapa”, ndërsa kundërshtarë të tjerë paralajmëruan se ai përfaqëson një kthim prapa pas një dekade demokratizimi.

Gjermania tha se ndryshimi ligjor “pengon rrugën e Ukrainës drejt BE-së”, ndërsa presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka kërkuar nga presidenti Zelensky sqarime për amendamentet në ligjin për agjencitë kundër korrupsionit, duke shprehur shqetësime serioze për pasojat e mundshme të tyre.

“Presidentja von der Leyen shprehu shqetësimet e saj të mëdha për pasojat e miratimit të amendamenteve dhe kërkoi nga Qeveria ukrainase shpjegime2, tha zëdhënësi i BE-së, Guillaume Mercier.

Ndërkaq, ministri francez për Çështjet Evropiane, Benjamin Haddad, shtoi më 23 korrik se ende nuk është vonë që Ukraina ta shfuqizojë vendimin.

“Nuk është vonë për ta rikthyer këtë”, tha Haddad për radion France Inter. “Ne do të jemi jashtëzakonisht vigjilentë për këtë çështje”.

Pavarësisht sulmeve masive ajrore ndaj kryeqytetit në ditët e fundit, qindra ukrainas protestuan në qendër të Kievit, duke i kërkuar presidentit Zelensky të vendosë veton ndaj ligjit, duke thënë se ai është shtyrë përpara me nxitim dhe se do t’i lejojë Qeverisë të ndërhyjë në rastet e profilit të lartë të korrupsionit.

“Ajo që po ndodh tani është krejtësisht e paarsyeshme. Në thelb, Ukraina po kthehet 10 vjet prapa në luftën kundër korrupsionit”, tha për Shërbimin ukrainas të Radios Evropa e Lirë, Dmytro, banor në Kiev.

NABU heton korrupsionin brenda institucioneve shtetërore, ndërsa SAPO ndjek penalisht rastet e tjera të korrupsionit. Disa nga hetimet e profilit të lartë të NABU-s, që nga fillimi i punës së tij në vitin 2015, kanë shënjestruar zyrtarë të lartë.

Ligji i ri, i propozuar në parlament nga partia “Shërbëtori i Popullit” e presidentit Zelensky, e bën Prokurorin e Përgjithshëm udhëheqës de facto të SAPO-s, duke ia hequr në mënyrë efektive autoritetin shefit të kësaj agjencie.

Ligji po ashtu lejon që prokurori i Përgjithshëm në mënyrë të njëanshme të mbyllë raste ku janë të përfshirë zyrtarë të lartë dhe i jep atij të drejtën të transferojë rastet që po hetohen nga NABU-ja tek agjenci të tjera.

Duke folur para mediave ukrainase më 23 korrik, prokurori i Përgjithshëm, Ruslan Kravchenko, pretendoi se agjencitë do të vazhdojnë të funksionojnë ashtu siç ishte parashikuar më herët.

“Prokurorit të Përgjithshëm thjesht i janë dhënë kompetenca më të gjera dhe një fushëveprimi më i madh”, tha ai gjatë një konference për media.

Këto ndryshime ligjore për punën e NABU-s dhe SAPO-s vijnë pas disa bastisjeve në këto agjenci.

Më 21 korrik, agjencia për siguri të brendshme, SBU, arrestoi dy zyrtarë të NABU-s – një për spiunim ndaj Rusisë dhe një për lidhje të dyshuara biznesore me entitete ruse – dhe autoritetet kanë kryer bastisje duke shënjestruar punonjësit e kësaj agjencie.

Agjencitë thanë se operacioni shkoi përtej shqetësimeve legjitime të sigurisë, duke përfshirë çështje të palidhura si shkelje trafiku të kryera viteve më parë.

Kravchenko tha se dyshimet janë vetëm fillimi i një hetimi më të gjerë lidhur me përpjekjet ruse për të ndikuar në punën e NABU-s. /REL/

- Advertisement -

Të Fundit