Kusari-Lila: Industria e drurit në Kosovë është dëshmi e fuqisë transformuese të ndërmarrësisë

Industria e drurit në Kosovë është dëshmi e fuqisë transformuese të ndërmarrësisë dhe e potencialit të prodhimit vendor, ka theksuar ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, në Konventën e 9-të të Shoqatës së Përpunuesve të Drurit të Kosovës, ku u kremtua suksesi i sektorit dhe u diskutua për mundësitë dhe sfidat.
Sektori i përpunimit të drurit sot ndërthur traditën me teknologjinë, inovacionin dhe prodhimin me vlerë të shtuar. Nga prodhimi artizanal i sofrave, tavolinave dhe mobilieve, industria ka avancuar drejt proceseve të automatizuara, dizajnit modern dhe produkteve konkurruese në tregjet ndërkombëtare.
Përmasat e këtij zhvillimi dëshmohen edhe nga të dhënat e vitit 2025: 519 ndërmarrje në prodhimin e drurit me rreth 2,814 të punësuar dhe mbi 121 milionë euro qarkullim, si dhe 823 ndërmarrje në prodhimin e mobilieve me rreth 5,600 të punësuar.
Ky transformim është rezultat i guximit, investimeve dhe përkushtimit të ndërmarrësve. Hapi i radhës është forcimi i konkurrueshmërisë përmes certifikimit të pyjeve dhe gjurmueshmërisë së lëndës së parë, investimeve në teknologji, aftësimit profesional dhe prodhimit të qëndrueshëm.
Lexo edheSveçla publikon pamje nga aksioni në Prishtinë dhe Fushë Kosovë, sekuestrohen 19 vetura dhe pasuri mbi një milion euro
Marrëveshja e Tregtisë së Lirë me shtetet e EFTA-s, si dhe instrumentet për mbështetjen e prodhimit të mençur dhe industrisë së gjelbër, hapin mundësi të reja për zgjerimin e bizneseve në tregjet evropiane.
Ministria deklaron se mbetet partnere e kësaj industrie me një synim të qartë: më shumë prodhim vendor, më shumë eksporte dhe produkte të Kosovës që dallohen për cilësi, dizajn dhe inovacion.








