Bajrami publikon shfirat e punësimit nga Trusti: Propaganda e Kurtit dhe e vërteta

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka kritikuar gjendjen e punësimit në Kosovë, duke thënë se një pjesë e madhe e popullsisë në moshë pune është jashtë tregut të punës.
Në një reagim të publikuar në Facebook, Bajrami ka thënë se rreth 74 për qind e grave dhe 40 për qind e burrave në moshë pune në Kosovë nuk janë të punësuar dhe nuk po kërkojnë aktivisht punë, duke iu referuar të dhënave të institucioneve vendore.
Ajo ka përmendur edhe të dhënat e Raportit të Komisionit Evropian për Kosovën për vitin 2026, sipas të cilit, në tremujorin e tretë të vitit 2025, 33,4 për qind e të rinjve në Kosovë nuk ishin as në punë, as në shkollim dhe as në trajnim.
Bajrami i është referuar edhe të dhënave të Trustit të Kursimeve Pensionale të Kosovës, ku, sipas saj, paraqitet numri i personave që kanë paguar kontribute pensionale gjatë të gjithë 12 muajve të vitit.
Sipas përllogaritjes së saj, nga viti 2021 deri në vitin 2025, në Kosovë janë shtuar 41 mijë e 754 vende pune, shifër që ajo e konsideron dukshëm më të ulët krahasuar me pesëvjeçarin paraprak.
Lexo edheNë listën e Çekut për Këshillin e Shkencës edhe ish-kandidatja e VV-së për deputete
Deputetja ka theksuar se në këtë rast bëhet fjalë për punësim të qëndrueshëm, duke iu referuar personave që paguajnë kontribute pensionale në Trust për të 12 muajt e vitit.
“Kaq sa i përket punësimit”, ka përfunduar Bajrami reagimin e saj.









