Kreu i Qeverisë në detyrë, Albin Kurti, ka pritur bashkatdhetarët në një takim në Qeveri. Në fjalimin e tij, Kurti ka folur për Serbinë si një shtet fqinj të keq i cili në vazhdimësi sillet vrazhdë dhe që po përpiqet ta pengojë zhvillimin e Kosovës dhe që ta destabilizojë vendin, shkruan Gazeta Express.
“Mirëpo institucionet e sigurisë e të inteligjencës të Republikës së Kosovës, janë duke u kundërvënë tërë kohën, cep më cep, suksesshëm”, ka thënë Kurti.
Ai iu ka kërkuar bashkatdhetarëve që të mos i bien kah Serbia, meqë sipas Kurtit për shkak të sukseseve të Kosovës, Beogradi është bërë agresiv e nevrik dhe ka rrezik për ndalime arbitrare.
“E pikërisht sukseset tona, të dashur bashkatdhetarë, e bëjnë Beogradin zyrtar fort agresiv, sepse paraprakisht e bëjnë fort nevrik. Prandaj, më lejoni që t’ju bëjë thirrje të gjithë juve këtu, e nga juve këtu edhe bashkëqytetarëve dhe bashkatdhetarëve tanë që t’i shmangin udhëtimet dhe kalimet tranzite përmes territorit të Serbisë, për shkak të rrezikut për ndalime dhe arrestime arbitrare nga autoritetet serbe”, ka thënë Kurti./Express/