Pjesëmarrja në kompeticionin më të rëndësishëm të sportit, është një nder, prestigj, fat e gjithçka tjetër për sportistët.
Ata shkojnë aq larg sa që me çdo kusht dëshirojnë arritjen e një medalje në disiplinat që garojnë, shkruan Lajmi.net.
Megjithatë, arritja e një qëllimi me çdo kusht, nganjëherë ka edhe anën e errët në sport.
Shumë sportistë, kanë kaluar përtej sportit në garë të ndryshme, duke arritur suksesin e kërkuar, edhe pse në rrugën jo të duhur.
Ata kanë përdorur kurthe të ndryshme, që edhe sot mbeten të paharruara.
Disa nga kurthet më të paharruara në histori të sportit, i gjeni në pjesën e mëposhtme:
Dora e Perëndisë
Historia e futbollit do ta kujtojë gjithmonë 22 qershorin e vitit 1986, kur Argjentina kaloi në gjysmëfinale të botërorit të Meksikës, duke mundur 2:1 Anglinë.
Të dy golat për Argjentinën në këtë ndeshje, i shënoi Diego Armando Maradona, madje njërin e shënoi në mënyrë jo të rregull, me dorë, gol që edhe sot vazhdon të diskutohet shumë.
Pasi mundi Anglinë në botërorin e Meksikës, Argjentina mundi edhe Belgjikën dhe Gjermaninë Perëndimore, për t’u shpallur kampione e botës
Fitore me metro
Një tjetër kurth i paharruar është edhe ai i Maratonës së Bostonit të vitit 1980, kur atletja kubane Rosie Ruiz e fitoi me kohë rekord prej 25 minutash, por më vonë u zbulua se në mes të garës, ajo ka përdorur metron, për të mbërritur më shpejt te fundi i garës.
Mashtrimi me doreza
Një fakt që ka turpëruar dorëzat e sportit të dashur të boksit, është ai i 16 qershorit të vitit 1983, kur Luis Resto shënoi një fitore të lehtë nga Billy Collins Jr, të cilit edhe i shkaktoi dëmtime serioze në fytyrë.
Më pas është vërtetuar se Resto kishte përdoruar dorëza që brenda tyre ka pasur material të fortë, që natyrisht nuk bën pjesë në rregullat e boksit.
Preu vetullën për t’i shpëtuar humbjes
Në një ndeshje të luajtur në stadiumin legjendar Marakana në vitin 1989, Brazili mundi Kilin dhe e la jashtë botërorit që një vit më vonë organizohej në Itali.
Duke mos mundur të fitojnë në fushë, portieri i Kilit Roberto Rojas u mundua të shfrytëzojë një fishekzjarrë që hodhën tifozët nga tribunat, duke prerë vetullën me një thikë të vogël, për të lënë dyshime se është goditur nga fishekzjarri për të ndërprerë ndeshjen.
Kur rivaliteti kalon limitet
Tonya Harding dhe Nancy Kerrigan konsideroheshin dy garueset më të mira në akull në fund të viteve ’80 dhe fillim të viteve ’90. Rivaliteti i tyre ishte aq i madh sa që kaloi kufijtë.
Bashkëshorti dhe truproja i Tonya porositën dikë për të lënduar Nancyn, dhe e lanë jashtë garave për një kohë të gjatë.
Tonya edhe pse mori privilegjin për të qenë më e mira, pas konstatimit të fakteve ajo u pezullua për gjithë jetën.
Turpi i Spanjës
Njëri ndër kurthet më të turpshme ka ndodhur në Spanjë. Në Lojërat Para Olimpike të vitit 2000, ekipi me aftësi të kufizuar i Spanjës në basketboll, bëri një paraqitje të madhe duke e fituar medaljen e artë.
Por, më pas u zbulua se përveç dy lojtarëve, pjesa tjetër e ekipit të Spanjës, nuk kishin asnjë aftësi të kufizuar.
Mashtrimi i portierit
Një tjetër mashtrim vjen nga futbolli. Në vitin 2009 portieri i IFK Goteborgut, Kim Christensen, duke parë që shtyllat e portës së tij janë lëvizëse, vendosi të zvogëlojë portën, por ky veprim për fat të mirë u filmua.
Me motor në garat e çiklizmit
Në Kampionatin Botëror të çiklizmit në Belgjikë, organizatorët zbuluan se çiklisti Van den Driessche, ka përdoruar gjatë garës një motor-biçikletë, për ta pasur më të lehtë triumfin.
Atletja gjermane, që doli të jetë burrë
Gjatë Lojërave Olimpike të Berlinit të vitit 1936, atletja Dora Ratjen përfaqësojë Gjermaninë dhe përfundoi e katërta në hedhje.
Dy vite më vonë mori pjesë në Kampionatin Evropian dhe arriti rekord në këtë disiplinë. Megjithatë, më vonë rrëfej se nuk quhet Dora, por Herman Ratjen, dhe se është detyruar të bëhet “grua” nga nazistët.