Drejtori ekzekutiv i IKD, Ismet Kryeziu ka kritikuar akterët e Lëvizjes Vetëvendosje të cilët po sulmojnë sistemin e drejtësisë.
Kryziu tha se kjo që po bën qeveri në detyrë është thirrje për anarki.
Postimi i plotë:
Është folur shumë për ndërhyrje, për presione, për zvarritje, për mosefikasitet dhe drejtësi selektive. Por, përkundër të gjitha këtyre dobësive, nuk mbaj mend që ndonjëherë njerëz me pushtet të kenë dalë haptazi kundër sistemit të drejtësisë duke refuzuar publikisht zbatimin e vendimeve gjyqësore. Përjashtime kanë qenë raste të rralla dhe individuale – si arratisje apo mosbindje, por jo nga udhëheqës shtetëror.
Ajo që po ndodh sot është shumë më serioze: Qeveria në detyrë, përmes zyrtarëve më të lartë, po bën thirrje për moszbatim të vendimeve të Gjykatës Supreme. Kjo nuk është më ndikim apo presion – është nxitje për anarki. Kjo është ftesë e hapur për ta kthyer rendin shoqëror nga kushtetuta dhe ligji, te normat e vetëgjyqësisë dhe vlerat kanunore.
Në një shoqëri demokratike, refuzimi i gjykatës është refuzim i shtetit. Çdo përpjekje për ta legjitimuar këtë refuzim, është përpjekje për të zhbërë themelin e shtetit ligjor.