Kryetari i Komisionit të Lartë Zgjedhor të Turqisë (YSK), Sadi Güven, tha se partitë politike tashmë kanë pranuar rezultatet paraprake të zgjedhjeve lokale të mbajtura të dielën dhe se aktualisht po rrjedh afati i ankesave, raporton Anadolu Agency (AA).
“Komisioni Zgjedhor do t’u ndajë certifikata atyre kandidatëve që fituan në njësitë zgjedhore ku nuk pati ankesa”, tha Güven mëngjesin e sotëm, për të shtuar se të gjitha partitë politike sot dhe nesër do të mund të ankimojnë rezultatet tek Komisioni i Lartë Zgjedhor.
Një total prej 12 partish politike morën pjesë në zgjedhjet në të cilat qytetarët turq zgjodhën pushtetin lokal për një mandat pesëvjeçar. Të drejtë vote kishin 57 milionë qytetarë.
Miliona qytetarë të Turqisë votuan në zgjedhjet e së dielës për të zgjedhur kryetarët e rinj të komunave në Turqi, anëtarët e këshillave të qyteteve, përfaqësuesit e njësive më të vogla administrative si dhe anëtarët e këshillave komunalë për pesë vitet e ardhshme.
Sipas rezultateve paraprake, Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (Partia AK) fitoi garën në 39 provinca, duke përfshirë 15 metropole.
Partia Republikane Popullore në opozitë (CHP), sipas rezultateve paraprake, udhëheqë garën për kryebashkiakun e Stambollit pasi kandidati i saj Ekrem Imamoglu prinë me 48.79 për qind të votave përpara kandidatit të partisë AK, Binali Yıldırım që mori 48.51 për qind të votave.
Edhe në garën për kryetar të Ankarasë kryeson kandidati i CHP-së, Mensur Yavas me 50.91 për qind të votave kundrejt kandidatit të partisë AK, Mehmet Özhaseki me 47.1 për qind të votave.