I dërguari special për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, sipas ekzekutivit të Qeverisë Kurti, është duke u keqpërdorur për luftë të brendshme politike në Kosovë.
Kështu është shprehur këshilltari politik i Kryeministrit Albin Kurti, Erzen Vraniqi në një deklaratë të lëshuar, pas përgjigjies së emisarit Richard Grenell lidhur me bisedën që kishte zhvilluar me shefin e Qeverisë.
”Mund ta kem gabim, por përshtypja ime është se tweet-at e Ambasadorit Grenell ngjajnë më të ashpër sesa takimet e bisedat me të. Kryeministri Albin Kurti ka shprehur qëndrimin e tij të qartë e të saktë për heqjen graduale të tarifës 100%, dhe vendosjen graduale të reciprocitetit. Ambasadorit Grenell kjo nuk i ka pëlqyer duke e quajtur gjysëm-masë. Por Kryeministri Albin Kurti ka zgjedhur rrugën më të mirë e mē të dobishme për Kosovën me propozimin e tij. Në anën tjetër, këtu më shumë po keqpërdoret Ambasadori Grenell për luftën e brendshme politike në Kosovë nga ata që i humbën zgjedhjet dhe tash u janë cenuar interesat nga vendimet e Qeverisë, sidomos nga shkarkimet e bordeve të korruptuara të disa ndërmarrjeve publike”. ka shkruar Vraniqi.