Hajrullahu pranon problemet e grumbulluara ndër vite në UP, pas shqetësimeve të studentëve paralajmëron reforma të thella
Rektori i Universitetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu, ka reaguar pas shqetësimeve dhe kërkesave për sqarime të ngritura nga Këshillat Studentorë, lidhur me organizimin e procesit mësimor dhe çështje të tjera që prekin jetën akademike në këtë institucion.
Në një deklaratë të publikuar më 21 nëntor 2026, Hajrullahu ka vlerësuar se shqetësimet e studentëve janë legjitime dhe ka theksuar se Rektorati mbetet i përkushtuar ndaj dialogut, transparencës dhe bashkëpunimit me përfaqësuesit e tyre, transmeton lajmi.net.
Duke folur për komunikimet institucionale që kanë nxitur reagime te studentët, rektori ka sqaruar se qëllimi nuk ka qenë ushtrimi i presionit, kërcënimit apo cenimi i të drejtave të tyre, por rikujtimi i obligimeve që burojnë nga Statuti, rregulloret universitare dhe standardet e akreditimit.
Një nga çështjet e trajtuara është edhe evidentimi i vijueshmërisë përmes sistemit elektronik dhe kodit QR. Hajrullahu ka bërë të ditur se Rektorati ka pranuar shqetësimet e studentëve të Fakultetit të Mjekësisë për vështirësitë në funksionimin e këtij sistemi, duke u zotuar se do të shqyrtohen edhe modalitete alternative për evidentimin e pjesëmarrjes në mësim.
Ai ka pranuar gjithashtu se programet aktuale të studimit janë të mbingarkuara dhe se në disa fakultete, veçanërisht në atë të Mjekësisë, ekzistojnë probleme të grumbulluara ndër vite, përfshirë organizimin e aktiviteteve klinike dhe përmbajtjen e syllabuseve.
“Reformat e thella kërkojnë kohë, por koha për to është tani. Rektorati është i gatshëm t’i ndërmarrë ato”, ka deklaruar Hajrullahu.
Sa i përket provimeve, rektori ka garantuar se e drejta e studentëve për paraqitjen e provimeve të vitit aktual, pa përfunduar obligimet e vitit paraprak, do të zbatohet edhe në njësitë akademike ku deri më tani nuk është respektuar.
Në mesin e hapave të paralajmëruar janë përgatitja e një rregulloreje të veçantë për studimet në Mjekësi dhe Mjekësi Veterinare, rishikimi i programeve dhe syllabuseve, avancimi i mekanizmave për vlerësimin e mësimdhënies, zgjidhja e problemeve me sistemin e evidentimit dhe përgatitja e një plani për kompensimin e orëve të humbura.
Ky është deklarimi i plotë i tij:
Të dashur studentë të Universitetit të Prishtinës,
pas kërkesave për sqarime të pranuara nga Këshillat Studentorë më datë 21 nëntor 2026 dhe shqetësimeve të ngritura lidhur me disa çështje që kanë të bëjnë me organizimin e procesit mësimor dhe jetën akademike në Universitetin e Prishtinës, e konsideroj të rëndësishme t’i adresoj këto çështje dhe të paraqes qëndrimin e Rektoratit, si në vijim:
Universiteti i Prishtinës mbetet i përkushtuar ndaj dialogut, transparencës dhe bashkëpunimit të vazhdueshëm me studentët dhe përfaqësuesit e tyre. Çështjet e ngritura nga studentët janë legjitime dhe trajtohen me seriozitet.
1. KOMUNIKIMI INSTITUCIONAL DHE OBLIGIMET E PERSONELIT AKADEMIK DHE TË STUDENTËVE
Lidhur me komunikimet mes Rektoratit dhe studentëve, dëshirojmë të sqarojmë se asnjëherë qëllimi i tyre nuk ka qenë ushtrimi i presionit, kërcënimit apo cenimit të të drejtave të studentëve.
Qëllimi i këtyre komunikimeve ka qenë rikujtimi i obligimeve të studentëve, të cilat burojnë nga kuadri ligjor dhe institucional, përfshirë Statutin dhe rregulloret e Universitetit të Prishtinës, programet e akredituara dhe standardet e Agjencisë së Kosovës për Akreditim.
2. EVIDENTIMI I PJESËMARRJES NË PROCESIN MËSIMOR
Pjesëmarrja në procesin mësimor është pjesa më qenësore e angazhimit akademik të studentëve dhe të personelit akademik.
Sa i përket evidentimit të pjesëmarrjes përmes sistemit elektronik, përkatësisht kodit QR, Rektorati ka pranuar shqetësimet e studentëve të Fakultetit të Mjekësisë lidhur me disa vështirësi në funksionimin e tij.
Duke marrë parasysh këto shqetësime, Rektorati mbetet i hapur për të diskutuar mundësitë e avancimit të sistemit aktual, si dhe modalitetet alternative të evidentimit të vijueshmërisë, deri në tejkalimin e çdo problemi teknik dhe praktik që mund të shfaqet. Deri më tani, këto probleme teknike kanë mbetur ende tërësisht të pazgjidhura nga Rektorati.
Lexo edheMë shumë çifte u ndanë në shtator, shkurorëzimet u rritën
Rektorati zotohet se të gjitha problemet teknike dhe praktike do të verifikohen dhe adresohen sipas rregulloreve në fuqi, pa cenuar askënd.
3. NGARKESA AKADEMIKE DHE ORGANIZIMI I PROCESIT MËSIMOR
Rektorati është i vetëdijshëm se programet aktuale janë të mbingarkuara. Prandaj, Rektorati zotohet se programet e studimit do të hartohen në bazë të nevojave profesionale të identifikuara, me standarde të qarta dhe rezultate reale të të nxënit. Rektorati është, po ashtu, i vetëdijshëm se në disa programe studimi, veçanërisht në Fakultetin e Mjekësisë, ekzistojnë probleme të grumbulluara ndër vite, përfshirë ngarkesën e lartë mësimore, organizimin e aktiviteteve klinike dhe përmbajtjen e syllabuseve. Reformat e thella kërkojnë kohë, por koha për to është tani. Rektorati është i gatshëm t’i ndërmarrë ato.
Natyrisht, Rektorati është i përkushtuar jo vetëm për evidentimin e mbajtjes së mësimit, por edhe për rritjen e cilësisë së tij.
4. ÇËSHTJA E DYFISHIT TË STUDIMEVE
Lidhur me çështjen e dyfishit të studimeve, sqarojmë se adresimi i këtij problemi do të bëhet në përputhje me Statutin e Universitetit të Prishtinës, legjislacionin në fuqi dhe aktet e tjera normative që rregullojnë këtë fushë.
5. VLERËSIMI DHE PROVIMET
Paraqitja e provimeve të vitit aktual, pa përfunduar obligimet e vitit akademik paraprak, në kuadër të sistemit të vlerësimit të vazhdueshëm, rregullohet me Rregulloren për studimet Bachelor. Respektimi dhe zbatimi i kësaj rregulloreje është obligim i njësive akademike. Rektori garanton se kjo e drejtë e studentëve do të zbatohet edhe në ato njësi akademike ku deri më tani nuk është zbatuar.
Ndërkaq, lidhur me vlerësimin e lëndëve të vitit, përkatësisht të semestrit paraprak, Rektorati angazhohet për shfrytëzimin e të gjitha mundësive ligjore në favor të studentëve.
6. KONKLUZIONET DHE HAPAT E MËTEJSHËM
Rektorati garanton se çdo problem i studentëve do të trajtohet duke shqyrtuar mundësitë konkrete për përmirësimin e organizimit të procesit mësimor dhe të funksionimit të mekanizmave akademikë.
Ne përkushtohemi, ndër të tjera, për ndjekjen e këtyre hapave:
1. Vazhdimi i dialogut me përfaqësuesit studentorë, njësitë akademike dhe organet përkatëse të Universitetit.
2. Përgatitja e rregullores së veçantë për studimet në Mjekësi dhe në Mjekësi Veterinare, duke marrë parasysh specifikat e ligjëratave, të ushtrimeve laboratorike dhe klinike.
3. Rishikimi i programeve të studimit dhe i syllabuseve për të siguruar ngarkesë të arsyeshme dhe përputhje me standardet e akreditimit.
4. Avancimi i mekanizmave të vlerësimit të mësimdhënies, përfshirë raportimin e besueshëm të orëve të pambajtura dhe problemeve me cilësinë.
5. Zgjidhja e problemeve teknike dhe praktike të evidentimit, me procedura të qarta për verifikimin e saktë dhe korrigjimin e regjistrimeve të pasakta, si dhe përshtatja e sistemit me specifikat eventuale të njësive përkatëse akademike.
6. Përgatitja e planit për kompensimin e mësimit të humbur, në përputhje me kërkesat e programeve të akredituara.
Universiteti i Prishtinës është hapësira jonë e përbashkët akademike, zhvillimi i së cilës kërkon përgjegjësi, mirëkuptim dhe angazhim të ndërsjellë. Përfaqësimi studentor është pjesë e rëndësishme e qeverisjes demokratike universitare dhe kontributi i studentëve duhet të jetë pjesë përbërëse e proceseve të përmirësimit institucional./lajmi.net/


