KEK-u lidh kontratë mbi 94 mijë euro për mirëmbajtjen e furnizuesve të thëngjillit në Kosova A
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka nënshkruar një kontratë në vlerë prej 94 mijë e 598 euro e 24 centë për mirëmbajtjen preventive dhe remontin e furnizuesve të thëngjillit në blloqet A3, A4 dhe A5 të Termocentralit Kosova A.
Kontrata i është dhënë kompanisë “Monting Energjetika” SH.P.K., sipas të dhënave të publikuara në platformën elektronike të prokurimit, transmeton lajmi.net.
Marrëveshja është nënshkruar më 19 nëntor, ndërsa procedura e prokurimit ishte iniciuar më 14 shtator. Në garën për këtë kontratë kishin marrë pjesë dy operatorë ekonomikë, ofertat e të cilëve ishin vlerësuar si të përgjegjshme. Në fund, fitues është shpallur kompania që kishte paraqitur ofertën me çmimin më të ulët.
Sipas specifikimeve teknike të tenderit, furnizuesit e thëngjillit janë pajisje rrotulluese të kaldajave, të cilat funksionojnë 24 orë në ditë dhe kanë rëndësi të veçantë për procesin e prodhimit të energjisë elektrike.
Lexo edheSikurse Kurti në Kosovë, Mickoski në RMV paralajmëron dimër të vështirë
Blloqet A3, A4 dhe A5 të Termocentralit Kosova A kanë nga tetë furnizues të thëngjillit secili. Këto pajisje mundësojnë furnizimin e vazhdueshëm me thëngjill të mullinjve përkatës, duke qenë pjesë e rëndësishme e funksionimit të njësive prodhuese./lajmi.net/




