Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili, ka kritikuar ashpër vonesat në reformat për sigurimet shëndetësore, duke thënë se mungesa e tyre po e rëndon çdo ditë gjendjen ekonomike të qytetarëve në Kosovë.
Duke folur në Kuvendin e Kosovës gjatë debatit për projektligjin për sigurime shëndetësore, Ismaili tha se qeveritë kanë humbur shumë kohë dhe nuk e kanë trajtuar me prioritet këtë reformë të rëndësishme.
Ai tha se vonesat në implementimin e sigurimeve shëndetësore kanë krijuar boshllëk në sistemin shëndetësor dhe kanë ndikuar drejtpërdrejt në varfërimin e qytetarëve.
“Sipas tij, mungesa e sigurimit shëndetësor po e varfëron qytetarin çdo ditë, ndërsa një pjesë e madhe e qytetarëve detyrohen të blejnë barna, materiale shpenzuese dhe terapi të shtrenjta, përfshirë edhe barna për sëmundje të rënda si kanceri, edhe pse disa prej tyre janë në listën esenciale”, u shpreh Ismaili.
Ai përmendi edhe gjendjen në Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK), duke thënë se qytetarët shpesh detyrohen të mbulojnë vetë shpenzimet për trajtime dhe barna, për shkak të mungesës së furnizimeve bazike në spitale.
Ismaili kritikoi gjithashtu mungesën e një plani të qartë për implementimin e ligjit, duke thënë se nuk është e qartë se kur do të funksionalizohen sigurimet shëndetësore, pavarësisht parashikimit për 13 akte nënligjore që duhet të miratohen.
“Duhet të kishte një plan të qartë kohor se kur qytetarët do të përfitojnë nga sigurimet shëndetësore, por një gjë e tillë nuk është prezantuar”, tha ai.
Ai shtoi se pavarësisht kritikave, grupi i tij parlamentar do ta mbështesë ligjin, por kërkoi debat më të thelluar dhe planifikim më konkret për zbatimin e tij në praktikë.
Ismaili theksoi se situata aktuale është shqetësuese dhe se vendi rrezikon të hyjë në një cikël të ri zgjedhor pa përfunduar reformat kyçe në sektorin e shëndetësisë. /Lajmi.net/