BallinaLajmeIshte krijuar gjatë qeverisjes Hoti, por Qeveria Kurti e themelon përsëri Grupin...

Ishte krijuar gjatë qeverisjes Hoti, por Qeveria Kurti e themelon përsëri Grupin për avancim drejt NATO-së

Në faqen e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, dikaster ky që drejtohet nga ministrja Donika Gërvalla, është publikuar një komunikatë për media në të cilën tregohet se me kërkesë të ministres, Qeveria e Kosovës ka votuar për themelimin “grupit ndërinstitucional për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Organizatën e Traktatit të Atlantikut Verior (NATO)”.

Megjithatë një grup i tillë ndërinstitucional ishte krijuar edhe në kohën kur Qeveria e Kosovës drejtohej nga Avdullah Hoti e kur diplomacinë e drejtonte Meliza Haradinaj-Stublla. Vendimi për krijimin e një grupi të tillë ishte marrë më 14 shtator të vitit 2020 në mbledhjen e 30-të të Qeverisë Hoti.

Ndërkohë edhe përbërja është pothuajse është e njëjtë, vetëm se tash ministrja Gërvalla ka shtuar disa anëtarë më shumë.

Në vitin 2020 pjesë e këtij grupit kanë qenë, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, kryesuese, ministri i Mbrojtjes, anëtar, Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, anëtar, Përfaqësues i Zyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës, anëtar/e, Përfaqësues nga Zyra e Kryeministrit, anëtar/e, Përfaqësuesi diplomatik i Republikës së Kosovës për NATO në Bruksel, anëtar.

Derisa tash janë shtuar edhe ministri i Punëve të Brendshme si anëtar, ministrja e Drejtësisë, dhe ambasadori i Kosovës në SHBA në cilësinë e anëtarit.

Siç thuhet në njoftimin e publikuar dje më 9 mars “Ky grup ka si qëllim të intensifikojë punën për procesin e integrimit të Republikës së Kosovës në NATO, duke synuar përfshirjen sa më të shpejtë të Republikës së Kosovës në Partneritetin për Paqe (PfP), anëtarësimin sa më të shpejtë të Republikës së Kosovës në ShBA-Kartën e Adriatiku (A5); si dhe duke avancuar praninë e Kosovës në organizata dhe mekanizma tjerë rajonalë dhe ndërkombëtarë të sigurisë dhe mbrojtjes si mekanizma komplementar dhe përkrahës të synimit për anëtarësim në NATO”.

I gjithë intensifikimi për anëtarësim në NATO ka ardhur pas ngjarjeve që po ndodhin në Ukrainë dhe pas paralajmërimeve se Kosova dhe Bosnja e Hercegovina mund të jenë caqe të Rusisë për destabilizim të rajonit.