Index Kosova: PDK-AAK-Nisma bindshëm në vend të parë, ja kush renditet pas tyre
Index Kosova, që menaxhohet nga Visar Berisha – i cili për një kohë i ka shërbyer Shpend Ahmetit, si drejtor i Financave në Komunën e Prishtinës – ka parashikuar se PDK me partnerë do t’i fitojnë bindshëm zgjedhjet e 11 qershorit.
Kompania private e hulumtimeve dhe sondazheve, Index Kosova, ka publikuar hulumtimin e fundit, të realizuar me qytetarë lidhur me zgjedhjet e 11 qershorit.
Kjo kompani drejtohet nga Visar Berisha, që për një kohë i ka shërbyer Shpend Ahmetit, si drejtor i Financave në Komunën e Prishtinës. Berisha po ashtu dikur ka qenë edhe aksionar bashkë me Shpend Ahmetin në biznesin Kafe-bar Filikaqa.
Kompania e Berishës ka parashikuar se zgjedhjet e parakohshme do të fitohen nga koalicioni PDK-AAK-Nisma. Vetëvendosja, sipas saj, del e dyta, kurse koalicioni LDK-AKR i treti.
Nga 986 të anketuar, në pyetjen “Nëse zgjedhjet për Parlament të Kosovës do të mbaheshin nesër, për cilën parti do të votonit?”, 25 % janë deklaruar se do të votonin për koalicionin PDK-AAK-Nisma, 17% për Lëvizjen Vetëvendosje, 16 % për koalicionin LDK-AKR dhe 1% për partitë e tjera.
Lexo edheSkender Hyseni: Me PDK’në s’do të ketë koalicion. Pikë!
Index Kosova, po ashtu ka treguar se nëse merren parasysh vetëm të anketuarit që kanë deklaruar për cilën parti do të votonin, rezultati potencial do të dukej kësisoj:
“Për koalicionin PDK-AAK-Nisma do të votonin 43%, për Lëvizjen Vetëvendosje 29%, për koalicionin LDK-AKR 27%, , ndërsa për partitë tjera 1%”, thuhet në raportin e Index Kosova.
Në njoftim thuhet se për hulumtimin që u zhvillua në maj të 2017 e ku nuk morën pjesë serbët, metoda e mbledhjes së të dhënave ishte intervista ballë për ballë ndërsa që procedura e mostrës ishte metoda shumë shkallëshe e rastit.
















