Pas 25 vitesh në Gjermani, familja shqiptare eshtë detyruar të bëjë plaçkat gati dhe të largohet nga ky vend. Familja shqiptare nga Maqedonia është dëbuar nga Wolfschlugeni i Gjermanisë. Vetëm vajza më e madhe ka mbetur, ndërsa familja do t`a fillojë jetën në një vend të huaj nga asgjëja dhe nga filimi.
Lejla 16-vjeçare ka qenë duke mësuar për të përfunduar shkollën e mesme. E motra e saj, Elifja 10-vjeçare ishte shtrirë në shtrat, kur rreth orës 22.30 dikush troket në derë.
Në momentin që nëna Gjilsime e hapi derën, në banesën e tyre në Wolfschluehn futen pesë policë. Ata nuk folën shumë, vetëm i urdhëruan që të marrin me vete sendet e nevojshme dhe të shkojnë me ta.
Asaj mbrëmjeje, babai Isa po kthehej vonë nga puna, ndërkohë që dy vajzat, djali i tij Omeri dhe bashkëshortja ishin futur në makinën e policisë para banesës. Policët i thanë se ai shpejt e shpejt duhet të merrte sendet e nevojshme me vete dhe t`i bashkohej familjes.
Në korridor takoi vajzën e madhe, Hazbijen 23-vjeçare, e cila ishte përshëndetur me familjen sepse për të nuk kishte urdhër dëbimi, pasi Maqedonia nuk e njeh si shtetase të vetën.
Hazbija me lot në sy rrëfen për atë ditë të kobshme në gazetën e përditshme gjermane “NTZ”, përcjell Albinfo.ch. Për atë ditë, kur familja e saj u dëbua pas 25 vitesh qëndrimi në Gjermani.
Autoritetet gjermane janë prononcuar lidhur me dëbimin e tyre, me pretekst se nuk i kanë plotësuar disa formalitete të nevojshme administrative. Tani, familja shqiptare në Maqedoni duhet t’ia fillojë nga asgjë dhe gjithçka është e vështirë për ta, pasi as fëmijët e as prindërit nuk e zotërojnë sa duhet gjuhën maqedonase për t’u integruar në vend.
Babai Isa Bajrami, në Gjermani kishte ardhur në vitin 1993 dhe një vit më vonë e kanë shoqëruar bashkëshortja dhe i biri, Omeri. Për 25 vite me radhë, familja ka jetuar në Gjermani me statusin e të ashtuquajturit “Duldung”.
Në Wolfschlugen dhe Nürtingen, familjes Bajrami i janë shtuar shumë përkahës, bile edhe politikanë të cilët i kanë shkruar Ministrisë së Brendshme gjermane. Nga atje kanë marrë përgjigje se familja shqiptare nuk i ka plotësuar kërkesat e tyre për pasaportë, njofton më tej Albinfo.ch. Hazbija rrëfen se familja ka bërë përpjekje për t`i rregulluar pasaportat maqedonas, bile kanë qenë edhe në Konsullatin e Munihut ku iu kanë thënë se ata duhet të kthehen fillimisht në Maqedoni për të bërë kërkesat.
Hazbija vazhdon të luftojë me përkrahësit e familjes që ajo sa më parë të kthehet në ambientin e mëparshëm gjerman. Me këtë rast është hapur edhe një peticion për të grumbulluar sa më shumë nënshkrime dhe t`i dorëzohen autoriteteve përkatëse.
© SYRI.net