Kryetarja e Kuvendit të Kosovës njëherit edhe U.D Presidente e Kosovës, Albulena Haxhiu ka folur para mediave sot pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit.
Ajo është pyetur nga gazetarët në lidhje me deklaratën skandaloze që deputeti i VV-së, Fatos Geci e ka thënë për Hashim Thaçin, për të cilin ka kërkuar burgim të përjetshëm.
Haxhiu ka thënë se ajo gjuhë është e papranueshme, përçarëse dhe goditje ndaj veprës madhështore ndaj UÇK-së dhe se e ka dënuar këtë gjuhë të tij.
“Së pari ju keni qenë dëshmitarë të seancës së kaluar ku përpos që i kam tërhequr vërejtjen deputetit Geci, po ashtu në kërkesën për të replikuar ndaj përfaqësuesit të PDK-së s’e kam lejuar të bëj një gjë të tillë. E kam dënuar atë gjuhë. Për mua ajo gjuhë është e papranueshme, përqarëse dhe goditje ndaj veprës madhështore të UÇK-së. Në këtë drejtim edhe sot në këtë seancë do të mbajë qëndrim në raport ndaj kësaj cështje”, ka thënë ajo.
Haxhiu gjithashtu e ka dënuar gjuhën seksiste që Fatos Geci ka përdorur ndaj nënkryetares së Kuvendit, Vlora Çitakut por ka thënë se këtë nuk e ka dëgjuar në seancë dhe është njoftuar nga mediat.
“S’do të lejoj që Kuvendi të shndërrohet në arenë përplasjes ku goditen gratë deputete, e nëse ka përdorim të gjuhës seksiste kjo s’do të lejohet dhe do të dënohet. Ftoj grupet parlamentare që të dënojnë një gjuhë të tillë kudo që ajo vjen dhe bëhet. Edhe në çdo moment apo në çdo rrethanë tjetër, apo në çdo institucion tjetër, qoftë në rrugë apo në debate televizive siç ndodh shpesh. E dini se ka pasur gjuhë të rëndë ndaj aktivisteve e deputeteve të VV-së, por s’ka pas solidaritet dhe reagime për të dënuar një gjuhë të tillë. Unë e dënoj një gjuhë të tillë, mizogjene e të papranueshme. S’do të lejojë që në Kuvend të përdoret një gjuhë e tillë”, ka shtuar Haxhiu.
Geci pasi ka kërkuar në Kuvend burgim të përjetshëm për Hashim Thaçin dhe po kritikohej nga Vlora Çitaku për këtë deklaratë të tij, ai e ofendoi atë duke i përdorur jetën e saj personale.
“I ke bë 100 vjet, ke mbetë pa martu. Gru e keqe”, dëgjohet duke i thënë Geci deputetes Çitaku. /Lajmi.net/