Agjutanti i përgjithshëm i Gardës Kombëtare të Iowas (GKA), gjeneralmajor Stephen Osborn, ka realizuar vizitë disa-ditore në Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Fillimisht, ai u prit në takim nga komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ku u diskutua mbi bashkëpunimin e shkëlqyer në kuadër të Programit të Partneritetit Shtetëror ndërmjet FSK-së dhe GKA-së.
Në vazhdën e agjendës, gjeneral Osborn vizitoi Shtabin e Përgjithshëm të FSK-së, ku u njoftua me zhvillimet kryesore në ngritjen e kapaciteteve operacionale, aktivitetet trajnuese, duke u fokusuar në linjat kryesore të përpjekjes si pjesë e planifikimit të përbashkët.
“Gjithashtu, ai vizitoi edhe Gardën Kombëtare (GK), ku iu prezantua zhvillimi dhe kapacitetet specialistike, sfidat aktuale dhe objektivat zhvillimore të kësaj komande për të ardhmen. Në këtë rast, u diskutua edhe mundësia e zgjerimit të bashkëpunimit në aktivitete të përbashkëta në fushat ku Garda Kombëtare është e specializuar” njofton FSK-ja.
Gjenerali Osborn falënderoi gjeneral Jasharin për pritjen dhe vlerësoi lart progresin e FSK-së, duke rikonfirmuar mbështetjen për avancimin e mëtejmë të kapaciteteve operacionale në përmbushje të misionit kushtetues dhe ligjor të forcës.