Kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini, ka dënuar aktin e drejtorit të një shkolle, i cili ka tentuar të kryejë marrëdhënie seksuale me një nxënëse të mitur.
Në videon e publikuar nga “Piranjat”, drejtori shfaqet duke i bërë presion nxënëses, shkruan IndeksOnline.
Gjini pohoi se distancohet nga sjelljet e drejtorit, i cili është pezulluar nga pozita.
Në incizim dëgjohet drejtori teksa pretendon se “ka njohje në parti”.
Lidhur me këtë gjë, Gjini thotë: “Dua të sqaroj opinionin publik se personi në fjalë nuk ka qenë pjesë e strukturave të Aleancës që nga viti 2021. Megjithatë, si kandidat për Kryeministër dhe nënkryetar i Aleancës, kam kërkuar menjëherë konfirmimin zyrtar nga kryetari i Degës në Gjakovë, Flamur Fetahaj, për të siguruar se ky individ nuk ka asnjë lloj lidhjeje apo angazhimi me ne. Ky le të jetë një mesazh i prerë për secilin që tenton të keqpërdorë emrin dhe logon e Komunës apo të Aleancës për veprime të tilla të turpshme”.
Ky është deklarimi i plotë i kryetarit Gjini:
Dënoj me ashpërsinë më të madhe aktin e papranueshëm dhe thellësisht të rëndë të shfaqur në emisionin investigativ “Piranjat”. Siguria, dinjiteti dhe mbrojtja e fëmijëve tanë janë vija të kuqe të pakontestueshme për institucionet tona, mbi të cilat nuk ka dhe nuk do të ketë kurrë asnjë kompromis.
Në emër të Komunës së Gjakovës dhe në emrin tim personal, distancohem plotësisht dhe pa asnjë rezervë nga ky individ dhe çdo veprim i tij i turpshëm, i cili bie ndesh me moralin njerëzor dhe misionin e shenjtë të arsimit. Personi në fjalë është pezulluar menjëherë nga pozita e drejtorit të shkollës sipas procedurave ligjore në fuqi, ndërsa komuna ka ofruar dhe do të vazhdojë të ofrojë bashkëpunim të plotë e të pakushtëzuar për organet e rendit dhe prokurorinë me qëllim që ky rast të marrë dënimin maksimal ligjor.
Dua të sqaroj opinionin publik se personi në fjalë nuk ka qenë pjesë e strukturave të Aleancës që nga viti 2021. Megjithatë, si kandidat për Kryeministër dhe nënkryetar i Aleancës, kam kërkuar menjëherë konfirmimin zyrtar nga kryetari i Degës në Gjakovë, Flamur Fetahaj, për të siguruar se ky individ nuk ka asnjë lloj lidhjeje apo angazhimi me ne. Ky le të jetë një mesazh i prerë për secilin që tenton të keqpërdorë emrin dhe logon e Komunës apo të Aleancës për veprime të tilla të turpshme.
Dua të siguroj të gjithë qytetarët, prindërit dhe nxënësit se sistemi arsimor në Gjakovë do të mbetet një mjedis i sigurt për fëmijët tanë, dhe kushdo që tenton ta cenojë këtë siguri do të përballet me forcën më të rreptë të ligjit dhe me largim të menjëhershëm nga institucionet tona.
Faleminderit mediave për punën dhe institucioneve të sigurisë për bashkëpunimin!