Një rast tejet i rëndë ka ndodhur në qytetin e Gjakovës, saktësisht në fshatin Damjan të këtij qyteti.
Drejtori i shkollës “Pjetër Bogdani” në këtë fshat, Nazmi Pnishi është raportuar se ka ngacmuar seksualisht një vajzë të mitur të moshës 17 vjeçare përmes rrjetit social “Snapchat”, shkruan lajmi.net.
Siç kanë raportuar “Piranjat”, Pnishi i ka dërguar mesazhe erotike të miturës, si dhe gjithashtu edhe video intime derisa i ka kërkuar në vazhdimësi që të takohen.
Përveç se drejtor i shkollës, Pnishi e ka përdorur në bisedë me të miturën edhe një “avantazh” tjetër, duke thënë se është pjesë e partisë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Ai në bisedë me të miturën ka thënë se kryetarin e Gjakovës, Ardianin Gjinin e ka shok.
Por në lidhje me aktivitetin e tij në parti, lajmi.net ka pyetur zëdhënësin e AAK-së, Kushtrim Xhemailin.
Në një përgjigje për lajmi.net, Xhemaili ka thënë se deri në vitin 2021 Pnishi ka qenë kryetar i një nëndege në Gjakovë, por që nga 2021-ta nuk është më pjesë aktive e partisë.
“Kontaktova me kolegët në Gjakovë, më treguan që drejtori në fjalë ka qenë në struktura të Aleancës deri në vitin 2021. Prej 2021-ës nuk është një asnjë strukturë, kish qenë kryetar nëndege diku deri në vitin 2021. Prej 2021-ës e deri tash nuk ka pas një pozitë në struktura”, ka thënë Xhemaili.
Ai gjithashtu ka njoftuar se tani në lidhje me këtë po merren organet komunale.
Deri në momentin e publikimit të këtij lajmi, nga Komuna e Gjakovës nuk janë deklaruar në lidhje me rastin.
Afërsia e tij me Gjinin është parë edhe në disa fotografi që Piranjat i kanë bërë publike, ku Pnishi shihet në fotografi të përbashkëta me të.
Rrjeti i Prindërve Edukues të Kosovës ka kërkuar arrestim të menjëhershëm për drejtorin në fjalë.
Në reagimin publik të kësaj organizate thuhet se veprimet e pretenduara të drejtorit përbëjnë “një akt të turpshëm dhe kriminal”, duke theksuar se një person i ngarkuar me edukimin dhe sigurinë e nxënësve nuk mund të abuzojë me pozitën e tij në dëm të fëmijëve.
Sipas deklaratës, shqetësues mbetet edhe fakti se ngjarja dyshohet të ketë ndodhur brenda ambienteve të shkollës, ndërsa organizata kritikon mungesën e reagimit institucional nga niveli lokal dhe qendror.
“Heshtja e institucioneve është bashkëfajësi”, thuhet në reagim, ku përmendet edhe pretendimi se personi në fjalë mburret me mbështetje politike. Rrjeti i Prindërve Edukues e konsideron të papranueshme mosndërmarrjen e masave të menjëhershme për largimin e tij nga sistemi arsimor dhe hetimin e rastit.
Organizata i ka bërë thirrje Prokurorisë së Shtetit që të nisë menjëherë hetimet dhe procedurat penale ndaj drejtorit, ndërsa nga Komuna e Gjakovës është kërkuar shkarkimi i tij i menjëhershëm nga çdo funksion publik dhe edukativ.
Po ashtu, janë paraqitur disa kërkesa konkrete për rritjen e sigurisë në shkolla, përfshirë vendosjen e kutive anonime të ankesave në çdo shkollë, krijimin e një platforme digjitale kombëtare për raportimin e abuzimeve dhe kryerjen e vlerësimeve psikologjike e etike periodike për mësimdhënësit dhe drejtuesit e institucioneve arsimore.
Lajmi.net ka dërguar pyetje edhe tek Prokuroria Themelore në Gjakovë për të pyetur nëse i njëjti është intervistuar, por që deri tani nuk kanë kthyer përgjigje./Lajmi.net/