Gërvalla takon Shefin e ri të EULEX-it: Reformë për çlirimin e sistemit të drejtësisë nga krimi, korrupsioni, ndikimet e paligjshme dhe konfliktet e interesit

Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë në detyrë, Donika Gërvalla, ka pritur sot në takim kortezie Shefin e ri të Misionit të EULEX-it në Republikën e Kosovës, Antero Lopes, me të cilin ka diskutuar për forcimin e sundimit të ligjit dhe thellimin e reformave në drejtësi.
“Reformat në drejtësi nuk janë zgjedhje politike e një momenti, por domosdoshmëri për konsolidimin e shtetit të së drejtës. Reformat në drejtësi kërkojnë vendosmëri politike, institucione me integritet dhe zbatim të barabartë të ligjit. Bashkëpunimi me EULEX-in dhe partnerët ndërkombëtarë mbetet i rëndësishëm për t’i çuar këto procese përpara dhe për të forcuar besimin në institucionet e drejtësisë”, tha Ministrja Gërvalla.
Duke folur për proceset reformuese në drejtësi, Ministrja Gërvalla përmendi funksionalizimin e Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, procesin e Vetingut dhe miratimin e pakos ligjore të reformës në drejtësi.
“Funksionalizimi i Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, procesi i Vetingut dhe miratimi i pakos ligjore të reformës në drejtësi janë pjesë e një procesi të gjerë reformues për çlirimin e sistemit të drejtësisë dhe jo vetëm nga krimi e korrupsioni, ndikimet e paligjshme e të pandershme dhe konfliktet e interesit, me qëllim të vetëm; forcimin e integritetit, pavarësisë dhe besueshmërisë së shtetit të së drejtës”, ka deklaruar Ministrja Gërvalla.
Në takim, Ministrja Gërvalla diskutoi edhe për bashkëpunimin ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe EULEX-it në monitorimin e sistemit të drejtësisë, me theks të veçantë në trajtimin institucional të rasteve të dhunës në familje, dhunës ndaj grave dhe dhunës me bazë gjinore.

Lexo edheTërmet në Shqipëri, ja sa ishte magnituda
“Në këtë drejtim, bashkëpunimi me EULEX-in në monitorimin e sistemit të drejtësisë, veçanërisht në trajtimin institucional të rasteve të dhunës në familje, dhunës ndaj grave dhe dhunës me bazë gjinore, mbetet jashtëzakonisht i rëndësishëm për forcimin e përgjegjshmërisë institucionale dhe garantimin e një reagimi të shpejtë, të koordinuar dhe efektiv, me mbrojtjen e viktimave si prioritet”, tha Ministrja Gërvalla.
Në fund të takimit, Ministrja Gërvalla e uroi Shefin e ri të Misionit të EULEX-it, z. Lopes, për detyrën e re dhe i dëshiroi shumë suksese në ushtrimin e mandatit të tij.












