Fruthi në rritje në Kosovë, 10 raste të reja vetëm në javën e fundit – IKShPK apelon për vaksinim

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka ngritur shqetësimin për rritjen e rasteve të fruthit në vend. Sipas të dhënave të fundit, nga 16 prilli deri më 24 gusht 2026 janë konfirmuar gjithsej 147 raste, numër që është më shumë se dyfishi i rasteve të regjistruara gjatë gjithë vitit 2025.
Situata është bërë edhe më shqetësuese gjatë ditëve të fundit, pasi vetëm në javën e fundit janë konfirmuar 10 raste të reja.
Prishtina prin me numrin më të madh të rasteve, me gjithsej 49 të konfirmuara, e ndjekur nga Fushë-Kosova me 35 dhe Ferizaj me 13 raste. Obiliqi ka 9 raste, Lipjani 8 dhe Kaçaniku 7.
Raste me fruth janë regjistruar edhe në Vushtrri e Shtime, nga 4 në secilën komunë, ndërsa Skenderaj dhe Drenasi kanë nga 3 raste. Në Gjilan, Gjakovë, Shtërpcë dhe Deçan janë raportuar nga 2 raste.
Nga një rast është konfirmuar në Graçanicë, Mitrovicë, Podujevë, Suharekë dhe Viti.
Përballë rritjes së rasteve, ekipet e vaksinimit kanë intensifikuar aktivitetet në komunat më të prekura. Gjatë tri javëve të fundit janë vaksinuar me MMR gjithsej 504 fëmijë që kishin vonesa në vaksinim sipas kalendarit të rregullt.

Lexo edheLlugaliu pret homologun maqedonas, në fokus reformat doganore
IKShPK u ka bërë thirrje prindërve dhe kujdestarëve që të kontrollojnë statusin e vaksinimit të fëmijëve dhe të sigurohen që ata të vaksinohen sipas kalendarit.
Instituti ka rekomanduar gjithashtu që personat që shfaqin simptoma të dyshimta, si temperaturë të lartë, skuqje të lëkurës, kollë, rrufë apo konjuktivit, të paraqiten sa më shpejt në institucionin më të afërt shëndetësor.
IKShPK thekson se, për shkak të infektueshmërisë së lartë të fruthit dhe rrezikut të përhapjes në komunitet, vaksinimi mbetet masa më e sigurt dhe më efektive për parandalimin e sëmundjes dhe mbrojtjen e shëndetit publik. /Lajmi.net/












