Konjufca nis strategjinë për apelin në Hagë: Shteti do të jetë pranë ish-krerëve të UÇK-së

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, ka kryesuar mbledhjen konstituive të Grupit Punues për hartimin dhe harmonizimin e Strategjisë Shtetërore lidhur me procedurat e apelit para Dhomave të Specializuara në Hagë.
Përmes një njoftimi, Konjufca ka bërë të ditur se gjatë mbledhjes janë diskutuar drejtimet kryesore të strategjisë, janë caktuar grupet përgjegjëse për hartimin e saj dhe është përcaktuar plani i përgjithshëm i punës.
“Angazhimi ynë është që krerët e luftës sonë çlirimtare ta kenë mbështetjen e plotë të shtetit të Kosovës në betejën e tyre në apel”, ka deklaruar Konjufca.
Ai ka theksuar se, krahas mbështetjes për procesin e apelit, institucionet do të angazhohen për mbrojtjen e së vërtetës së luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në arenën ndërkombëtare.
“Krahas kësaj mbështetjeje, do ta mbrojmë me vendosmëri të vërtetën e luftës sonë çlirimtare në arenën ndërkombëtare dhe do të kundërshtojmë çdo përpjekje për shtrembërimin e saj”, ka thënë ai.

Lexo edheNis punën grupi punes për hartimin dhe harmonizimin e Strategjisë Shtetërore për Gjykatën Speciale, Konjufca jep detaje
Konjufca ka bërë thirrje për unitet të institucioneve dhe forcave politike në këtë proces, duke vlerësuar se lufta e UÇK-së qëndron në themelet e lirisë dhe të shtetit të Kosovës.
“Në këtë betejë, të gjitha institucionet e Republikës dhe forcat politike kanë përgjegjësi dhe do të qëndrojnë të bashkuara, me përkushtimin dhe vendosmërinë që kërkon mbrojtja e një të drejte historike të popullit tonë”, ka përfunduar Konjufca. /Lajmi.net/












