Eugen Cakolli nga IKD ka reaguar pasi Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka tërhequr kërkesën e dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese, e cila ka thënë se këtë e ka bërë për caktimin e gjyqtarit raportues Radomir Llaban, i cili sipas saj është i rrezikshëm për sigurinë kombëtare.
Cakolli përmes një postimi në Facebook, ka thënë se është legjitime që secili institucion të ketë rezerva ndaj figurave individuale, sidomos kur ekzistojnë informacione të përsëritura nga institucionet e sigurisë për cenim të rendit kushtetues, por sipas tij nëse pas tetë vitesh nuk është iniciuar asnjë hetim apo kallëzim penal, ai ka thënë se është vështirë të arsyetohet se si një element procedural si caktimi i gjyqtarit raportues, mund të shërbejë si arsye për tërheqjen nga një rast me rëndësi thelbësore kushtetuese.
“E vërteta është që gjyqtari raportues nuk e vendos as fatin e kërkesës, as përmbajtjen e vendimit. Nëse paneli prej tre gjyqtarësh propozon papranueshmëri dhe asnjë gjyqtar tjetër nuk e kundërshton, atëherë rasti mbyllet. Por mjafton që një gjyqtar tjetër të mos pajtohet, dhe rasti kalon për shqyrtim në përbërje të plotë të Gjykatës. Aty vendoset me shumicë votash për secilën pikë – si për pranueshmëri ashtu edhe për substancë. Edhe nëse gjyqtari raportues nuk është në atë shumicë, me vendim të Kryetarit, tekstin final e harton një gjyqtar tjetër”, ka shkruar Cakolli.
Ai ka thënë se tërheqja e kërkesës nuk e ndalon domosdoshmërisht trajtimin e saj.
“Gjykata ka të drejtë ta vazhdojë shqyrtimin kur konstatohet interes publik madhor. E në një situatë ku Kuvendi nuk është konstituuar brenda afatit kushtetues dhe vendi ndodhet në vakum institucional, s’ka dilema se ky është një ndër rastet më serioze, që kërkon përgjigje të qartë nga autoriteti i vetëm që ka mandat ta japë atë. Prandaj, Gjykata duhet ta trajtojë këtë çështje deri në fund. Mbi të gjitha, për shkak të rëndësisë për funksionimin kushtetues të institucioneve. Por, edhe për të mbrojtur integritetin institucional të saj dhe për të mos e minuar besimin e qytetarëve në vendimmarrjen e saj si trupë, për shkak të një gjyqtari. Aq më tepër, kur kërkesat aktuale të partive politike nuk e adresojnë qartë çështjen e pasojave juridike të moskonstituimit të Kuvendit brenda afatit 30-ditor”, ka shtuar Cakolli. /Lajmi.net/
Postimi i tij i plotë në Facebook: