Banorët e Mitrovicës ankohen se po paguajnë fatura të ujit edhe për dikë tjetër

Një pjesë e banorëve nga Tuneli i Parë në Mitrovicë, po kundërshtojnë mënyrën e faturimit të ujit.
Sipas banorëve, atyre po u faturohet shumë më shumë se që po shfrytëzojnë ujë.
E për një zgjidhje këta të fundit po kërkojnë ndihmë nga Avokati i Popullit.
Hakif Beqiri nga Tuneli i Parë thotë që shpenzimet e tij janë në shpërputhje me mënyrën e faturimit.
Shfrytëzimin e ujit e ka të domosdoshëm.
Por Hakif Beqirit nga Tuneli i Parë në Mitrovicë po ka telashe me mënyrën se si po i faturohen këto shpenzime.
Kësisoj, ndonëse banon vetëm me gruan e tij, fatura e ujit po kap shifrën gati 40 euro.
Beqiri thotë se kaq nuk paguan as për energji elektrike. Mirëpo ai dyshon se po paguajnë edhe për dikë tjetër.

Lexo edheAksident trafiku në magjistralen Vushtrri-Mitrovicë
Kjo mënyrë e faturimit është përcaktuar me rregulloren e Autoritetit Rregullator për Shërbime të Ujit, për ndërtesat e banimit kolektiv.
Faturimi këtu bëhet në bazë të leximit të ujëmatësit kryesor.
Por pakënaqësi për këtë formë të faturimit, kanë edhe të gjithë banorët e Tunelit të Parë të cilët kanë drejtuar një ankesë edhe në Zyrën e Avokatit të Popullit.
“Kemi pranuar një ankesë nga zotëria, është i përfshirë një grup i madh i banorëve janë diku rreth 202 banorë të cilët kanë paraqitur ankesë në institucionin e Avokatit të Popullit me pretendimet se kompania e ujësjellësit rajonal Mitrovica nuk iu ka përgjigj kërkesave të tyre në lidhje me faturimin paushall të ujit”, thuhet në përgjigjen nga Zyra e Avokatit të Popullit.
Nga ky institucion kanë thënë që duhet gjetur një zgjidhje.
E nga zyra e Avokatit të Popullit në vazhdimësi është kërkuar gjetja e një zgjidhjeje më të drejtë për faturimin e konsumatorëve.
Ndërkohë banorët e Mitrovicës kanë paralajmëruar që do të vazhdojnë ankesat pasi që sipas tyre një faturim i tillë nuk është korrekt.














