Specialistja e vetme në Kosovë për farmaci klinike, e cila nuk është zgjedhur asistente në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, dhe për këtë ka denoncuar Rektoratin e këtij universiteti në Agjencinë Kundërkorrupsionit se është shkelur statuti si dhe kriteret e konkursit për pranimin e stafit akademik, tani është përfshirë nga auditori i brendshëm se ka pasur mungesa në punën e saj si asistente.
Madje, ky auditor ka konstatuar se në Fakultetin e Mjekësisë nuk ka funksionuar në nivelin e duhur dhe efikas monitorimi apo kontrolli i brendshëm për mbajtjen e evidencave për ardhjen dhe daljen nga puna të stafit akademik.
Ndaj këtij raporti ka reaguar dekania e Fakultetit të Mjekësisë Suzana Manxhuka –Kërliu. Ajo ka kundërshtuar konstatimet e auditorit, pasi sipas saj raporti i auditorit nuk merr parasysh komplet vitin akademik 2015/2016.
“Duhet sqaruar se fondi total i orëve në UP shikohet për komplet vitin akademik. Nga kjo del se fondi total i orëve për vitin akademik 2015/2016 për ass.Rozafa Koliqi ka qenë 19 orë në javë. Prej këtyre, 16 orë në javë kanë qenë në semestrin dimëror, ndërsa tri orë kanë qenë në semestrin veror. Fondi total i orëve për mbushjen e normës së asistentëve në UP është 10 orë në javë ushtrime. Pra, gjashtë orë tepër nga semestri dimëror ass Rozafa Koliqit i janë bartur në semestrin veror për të plotësuar normën e semestrit veror”, ka thënë Suzana Manxhuka-Kërliu për gazetën.
Manxhuka-Kërliu madje demanton raportin e auditorit duke hedhur poshtë që të ketë pasur ndonjë ankesë në dekanat se Koliqi sipas raportit “i kanë mjaftuar 15 minuta kohë për t’ua ligjëruar studentëve të Farmacisë lëndët mësimore për të cilat ajo kishte fituar kontratë njëvjeçare në universitet”.
Raporti i auditorit nuk është dërguar asnjëherë zyrtarisht në Fakultet të Mjekësisë
“Ne nuk kemi informacione apo ndonjë ankesë në lidhje me këtë çështje”, ka thënë dekania duke shtuar se nuk ka pasur në dekanat ndonjë indikacion që asistentja Rozafa ka pasur mungesa në kryerjen e aktiviteteve mësimore në FM. “Në UP, raportimi i mbajtjes së mësimit bëhet në baza mujore dhe i tillë ishte edhe raportimi që është dërguar për asistentën Rozafa. Ky raportim, që përshkruan orët e mbajtura mësimore është konfirmuar edhe nga shefi i degës së Farmacisë. Siç është cekur më lartë, orët në FM sikurse edhe në njësi tjera të UP-së llogariten për komplet vitin akademik. Prandaj, konsiderojmë që raporti të cilit i referoheni ju nuk ka marrë parasysh orët e mbajtura nga asistentja Rozafa në semestrin dimëror. Sikur të merrej parasysh, atëherë do të shihet se asistentja Rozafa e ka plotësuar normën për vitin akademik 2015/2016”, ka thënë Manxhuka-Kërliu, raporton Zëri.info.
Ndonëse auditori ka konkluduar se asistentja e degës së Farmacisë, Rozafa Koliqi ka marrë pagë të plotë, në kundërshtim me rregulloren për të ardhurat e personelit të UP-së, përkundër se ka munguar në orët e parapara për ligjërim, Manxhuka Kërliu thotë se asistentja Rozafa për këtë perioudhë nuk ka pasur kontratë me UP.
“Pas marrjes së vendimit për angazhimin e saj, të lëshuar me datën 9.11.2016, asistentja Rozafa ka shprehur pakënaqësi me vendimin në fjalë dhe ka informuar Rektoratin për mosmbajtjen e mësimit dhe ka kërkuar nga Rektorati ndalesën e pagesës”.
E pyetur nga gazeta se nëse është vetëm rasti Koliqi që është dërguar në auditim, dekania Manxhuka-Kërliu është përgjigjur se Auditimi në UP bëhet sipas nevojës dhe kërkesave të menaxhmentit.
Madje, ajo thotë se ky raporti i auditorit nuk është dërguar zyrtarisht në Fakultet të Mjekësisë.
Ajo ka mohuar të dhënat e auditorit të brendshëm se në Fakultetin e Mjekësisë nuk ka monitorim të orëve.
“Me marrjen e mandatit në gjysmën e semestrit veror 2015/2016, menaxhmenti i FM-së ka ndërmarrë hapa konkret në përmirësimin dhe avancimin e efikasitetit të monitorimit. Së pari, për herë të parë kemi krijuar rregulloren për punën e shefave të degëve dhe katedrave. Nëpërmjet kësaj rregulloreje janë decentralizuar punët, janë aktivizuar të gjitha katedrat e FM-së, janë deleguar përgjegjësitë dhe është rritur llogaridhënia e gjithë stafit akademik. Tani kjo rregullore e përcakton në mënyrë efiçiente edhe monitorimin e stafit akademik në FM. Pastaj, FM ka krijuar ekipe të rregullta të auditimit të mësimit, nëpërmjet zyrtarës për mësim që të inspektohen rregullisht të gjitha lokalitetet e mbajtjes së mësimit gjatë javëve të semestrit”, ka thënë ajo.
Koliqi: Raporti i auditorit hakmarrje ndaj denoncimit tim për shkeljet në UP
Ndërkaq, Rozafë Koliqi ka deklaruar për “Zërin” se raporti i auditorit përveç se ka të paavërteta për punën e saj, dëshmon sipas saj se ata që ngritin zërin ndaj shkeljeve në UP do të përballën me hakmarrjen.
“Ky auditim nuk konstaton në tërësi fondin e orëve të mbajtura sepse nuk merr parasysh orët shtesë të mbajtura gjatë semestrit paraprak dhe të transferuara në fondin e orëve të semestrit pasues, sikurse veprojnë i gjithë stafi akademik brenda UP-së në përputhje me rregullat, procedurat dhe praktikat e brendshme të UP-së”.
Koliqi thotë se në semestrin vjeshtor 2015 sipas planprogramit ka pasur tetë grupe të studentëve me nga dy orë ushtrime në javë, që gjithsejtë bëjnë 16 orë në javë ose 64 orë në muaj.
“Pra, kam realizuar gjashtë orë më shumë se fondi i orëve prej 10 orë në javë. Këto gjashtë orë më shumë të mbajtura në javë i kam transferuar në fond të orëve të semestrit pranveror për të plotësuar normën”, sqaron ajo.
Ndërsa, sa i përket pagës së pranuar përgjatë muajve tetor-nëntor 2016, ajo thekson se ka qenë vet Rektorati i UP-së ai që nuk kishte nxjerrë ende Vendim deri me datën 09.11.2016 për mua në mënyrë që t’i mbajë orët e ushtrimeve në lëndën “Informatikë Farmaceutike”.
“Prandaj, është e lehtë të kuptohet se pse nuk kam marrë pjesë në ushtrime dhe pse të njëjtat i kam paraqitur si 0. Në anën tjetër, për lëndën e njëjtë tashmë ishte emëruar një Asistent tjetër, i cili veçse ishte duke i mbajtur po ato ushtrime”, thotë ajo duke bërë të ditur se për shkak të përmbajtjes së pavërtetë të dy vendimeve, ka bërë dy ankesa ne Komisionin për ankesa pranë UP-ës dhe vetëm siç thotë ajo nuk ka marrë asnjë përgjigje, por edhe është suspenduar nga puna si rezultat i reagimit të saj dhe kërkesës që t’i ndërpritet paga deri në shqyrtimin e këtyre vendimeve me përmbajtje të pavërtetë.
“Pas kësaj menaxhmenti i UP-së dërgon auditimin vetëm për mua me qëllim të largimit”, thotë Koliqi.
Koliqi thotë se nuk beson që një qytetar i Republikës së Kosovës pranon të punojë me dy vendime që jo vetëm që janë kundërthënëse, që kanë dhe numër të njëjtë protokolli, datë të njëjtë dhe kanë përmbajtje të ndryshme dhe për më tepër thirren në vendim të Këshillit të Fakultetit të Mjekësisë i cili është në favorin e saj.
Krimet Ekonomike po hetojnë Rektoratin
Me 9 nëntor të vitit 2016 Koliqi merr vendime nga Rektorati, të cilat i posedon dhe “Zëri” .
Më 21 nëntor 2016 Koliqi dërgon letër/ankesë se nuk mban mësim me vendim fals, në lëndën që nuk ka konkuruar dhe këkron t’i ndërpritet paga. Dy javë më vonë Rektori e dërgon auditimin.
Auditimi jep përgjigje-se Koliqi nuk ka mbajtur mësim! Më 20.12.2016 ajo suspendohet që nuk ka mbajtur mësim tetor/nëntor, në kohën kur vet Koliqi ka kërkuar t’i ndalet paga.
Koliqi, e cila ka doktoruar në Universitetin e Shkupit “Kirili dhe Metodi”, ka konkurruar për t’u zgjedhur asistente në lëndën Farmaci Klinike me Farmakoterapi dhe Farmakognozi, pasi nuk është pranuar asistente e rregullt është detyruar të largohet nga UP-ja.
Ndërsa në vend të saj si asistent për Farmaci Klinike me Farmakoterapi dhe Farmakognozi është pranuar një specializant.
Në rastin e Rozafës është shkelur me “dy këmbë” Statuti i UP-së, bashkë me konkursin e shpallur nga ky Universitet në vitin 2015, kur ajo ka konkurruar.
As punimet shkencore me impakt-faktor nuk janë marrë parasysh në rastin e kësaj kandidateje për asistente, ndonëse Komisioni Recensues dhe Këshilli i Fakultetit të Mjekësisë i kishin propozuar Senatit që si asistente në lëndën Farmaci Klinike me Farmakoterapi dhe Farmakognozi të përzgjidhet kandidatja Rozafa Koliqi.
Por, në Senatin e UP-së votohet kundër propozimit të Fakultetit për ta pranuar Koliqin. Kjo shkelje e Statutit nuk është kthyer pas. Agjencia Kundërkorrupsion ka kërkuar hetime nga Njësia për Krime Ekonomike nën dyshimin për korrupsion.
Departamenti i Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Policinë e Kosovës ka nisur hetimet ndaj drejtuesve të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”. Sipas burimeve të gazetës “Zëri”, hetimet po zhvillohen duke u bazuar në dyshimet për korrupsion në këtë Universitet, ku, siç i është bërë e ditur gazetës, Policia po e merr në pyetje palën e dyshuar, por edhe atë të dëmtuar.