Kryetari i FFK-së, Agim Ademi ka pritur në takim tenorin me famë botërore, Rame Lahaj.
Ademi tha se në këtë takim miqësor biseduan për rolin e artit dhe sportit në shoqërinë kosovare, shkruan lajmi.net
Tutje, i pari i FFK-së në postimin e tij shtoi se sporti dhe arti janë ambasadorët më të mirë të Kosovës.
Postimi i plotë:
Me kënaqësi dhe nder prita sot, në ambientet e Federatës së Futbollit të Kosovës, tenorin tonë me famë botërore, Rame Lahaj.
Në një takim tejet miqësor, biseduam rreth rolit të artit dhe sportit në shoqërinë tonë dhe se si këto dy fusha, secila në mënyrën e vet, i japin vendit tonë krenari dhe përfaqësim të denjë në arenën ndërkombëtare.
Sporti dhe arti janë ambasadorët më të mirë të Kosovës, duke përcjellë vlera, pasion dhe krenari përtej kufijve.
Lahajn e përgëzova për koncertin e tij të përvitshëm në Prishtinë, një ngjarje që tashmë është shndërruar në simbol të kulturës dhe identitetit tonë. Ky event është dëshmi e përkushtimit të tij për të sjellë artin më të mirë në vendin tonë dhe për të promovuar Kosovën si një qendër të talentit dhe potencialit.
Faleminderit, Rame, për vizitën, për kontributin tënd të jashtëzakonshëm dhe për përkushtimin e palëkundur ndaj Kosovës./lajmi.net/
- Advertisement -