Arjeta Fejza sqaron deklaratën për Ramush Haradinajn: Nuk kisha qëllim ta ofendoja Anita Muçaj-Haradinajn

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arjeta Fejza, ka thënë se nuk ka pasur për qëllim ta ofendojë apo ta cenojë Anita Muçaj-Haradinajn me deklaratën e saj për ish-kreun e AAK-së, Ramush Haradinaj.
Në një intervistë, Fejza ka thënë se deklarata e saj ishte bazuar në informata që kishin qarkulluar në media.
“Është nga informatat të cilat kanë qarkulluar nëpër media. Theksi i kritikës sime gjatë diskutimit ka qenë që nuk ka asnjë hapësirë shoqërore e cila është imune ndaj dhunës dhe se ne duhet të reagojmë në secilën rrethanë dhe për secilin rast. Në asnjë moment unë nuk kam pasur qëllim ta ofendoj apo ta cenoj në çfarëdo mënyre zonjën Muçaj-Haradinaj dhe nuk do të doja që fjalët e mia të kuptoheshin si një qëndrim kundër saj, sepse asnjëherë s’ka qenë qëllimi”, ka deklaruar Fejza.
E pyetur për reagimin e shefit të Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, në Kuvendin e Kosovës, Fejza ka folur për rezolutën e miratuar dhe themelimin e Komisionit Hetimor për trajtimin e rasteve të dhunës në familje.
“Tani ky është një rast shumë i ndjeshëm dhe ju e dini që ne kemi pasur një seancë të Kuvendit të Republikës së Kosovës në kuadër të cilës kemi miratuar një rezolutë, nga e cila doli edhe sot themelimi i Komisionit Hetimor. Ne propozuam emra të Lëvizjes Vetëvendosje për t’u vendosur dhe tani kryesimi i këtij komisioni në fakt do të bëhet nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Gjatë diskutimit ka pasur qëndrime të deputetëve për shumë çështje”, ka thënë ajo.

Lexo edheHidhet gaz para Ministrisë së Drejtësisë, policia në gjendje gadishmërie
Fejza ka theksuar se angazhimi i saj dhe i grupit parlamentar mbetet sigurimi i drejtësisë për këtë rast dhe për gratë e tjera.
“Unë e kam shumë të rëndësishme të theksoj se angazhimi ynë mbetet i palëkundur në mënyrë që të ketë drejtësi për këtë rast, por edhe për të gjitha gratë e tjera. Angazhimi i Lëvizjes Vetëvendosje si grup parlamentar tani e tutje do ta vazhdojmë edhe në Komisionin Hetimor, por edhe si komision për barazi gjinore tashmë kemi përfshirë në agjendën dhe planin tonë të punës monitorimin e zbatimit të ligjit për mbrojtjen nga dhuna dhe ky mendojmë se do të jetë edhe një ndihmesë shtesë për të parë se cilat hallka të zinxhirit po dështojnë gjatë zbatimit të ligjit, që është i rëndësishëm për jetën e grave”, ka deklaruar Fejza.












