Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin maj 2026.
Sipas të dhënave nga tregtia e jashtme e mallrave në Kosovë, ASK tregon për një rritje të deficitit tregtar prej 4,0 % në muajin maj 2026, në raport me periudhën e njëjtët të vitit 2025, gjegjësisht në vlerë prej 544,4 milionë euro, krahasuar me deficitin prej 523,4 milionë euro në vitin 2025, raporton Klankosova.tv.
ASK thotë se në këtë periudhë, eksporti ka mbuluar importin me 14,7 %.
“Eksporti i mallrave në muajin maj 2026 kishte vlerën 94,1 milionë euro, ndërsa importi 638,6 milionë euro, që është një rritje prej 15,7 % për eksport, si dhe një rritje prej 5,6 % për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2025”, tha ASK në raport.
Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 27,5 % e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 11,1 % e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 10,7 % e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 8,9 % e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar; 8,0 % e përbëjnë produktet minerale; etj.
Ndërsa sipas të dhënave të grupeve kryesore të importit: 15,2 % e përbëjnë produktet minerale, 12,6 % e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, 12,0 % e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 11,7 % e përbëjnë mjetet e transportit; 10,8 % e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; etj.
Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së
Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 30,8 milionë euro, ose rreth 32,7 % e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 6,3 %. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE ishin Gjermania (9,9%), Italia (4,9), Holanda (2,7%), etj.
“Importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 301,3 milionë euro, ose 47,2 % e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 13,7%. Importet me pjesëmarrje me të lartë ishin nga Gjermania (13,1%), Italia (8,8%), Polonia (4,1%), etj”, tha ASK.
Eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s
Agjencia e Statistikave e Kosovës bëri me dije se eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 43,1 milionë euro, ose 45,7 % të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 24,6 %. Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s ishin Maqedonia e Veriut (16,4%), Shqipëria (14,8%), Mali i Zi (6,6%), Serbia (6,4%), etj.
“Importet nga vendet e CEFTA-s arritën në 85,3 milionë euro, ose 13,4 % të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 22,5 %. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin Maqedonia e Veriut (4,9%), Shqipëria (4,1%), Serbia (3,2%)”, u tha në raportin e ASK-së.
Eksportet e Kosovës me vendet e tjera
Eksportet e Kosovës me vendet e tjera arritën në 20,3 milionë euro, ose 21,6 %. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport ishin Zvicra (10,6%) dhe Turqia (4,5%).
Ndërkaq, importet e Kosovës me vendet e tjera arritën në 252,0 milionë euro, ose 39,5 %. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin Kina (12,2%) dhe Turqia (13,9%).