Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka mbajtur tubimin përmbyllës të fushatës në Prishtinë, ku ka shpalosur programin dhe zotimet e tij për qeverisjen e ardhshme, duke e cilësuar garën zgjedhore si një zgjedhje mes vazhdimit të krizës dhe ndryshimit.
Hamza tha se gjatë javëve të fundit ka udhëtuar nëpër gjithë Kosovën dhe ka takuar qytetarë nga kategori të ndryshme shoqërore, transmeton lajmi.net.
“Kemi takuar punëtorë, mjekë, mësues, pensionistë, bujq, ndërmarrës, studentë, të rinj, gra e burra që çdo ditë e mbajnë këtë vend në këmbë. Kam dëgjuar shqetësimet e tyre. Kam parë lodhjen e tyre. Kam ndjerë zhgënjimin e tyre. Por mbi të gjitha, kam parë diçka shumë më të rëndësishme. Kam parë shpresë se Kosova mund të ndryshojë. Dhe sonte, nga ky shesh, dua t’i them secilit qytetar të Kosovës. Shpresa juaj është e drejtë. Ndryshimi është i mundur. Dhe ndryshimi fillon me votën tuaj”, ka thënë Hamza.
Sipas tij, Kosova po përballet me probleme të shumta ekonomike dhe sociale, ndërsa qytetarët janë lodhur nga krizat e vazhdueshme.
“Familjet kosovare po përballen me çmime të larta. Prindërit po e kanë gjithnjë e më të vështirë ta mbushin shportën e familjes. Pensionistët po e masin çdo shpenzim. Të rinjtë po e pyesin veten nëse e ardhmja e tyre është këtu apo diku tjetër. Bizneset po përballen me pasiguri, me mungesë përkrahjeje dhe me një qeveri që nuk i dëgjon. Shëndetësia ende nuk e jep shërbimin që qytetari e meriton. Arsimi ende nuk po i përgatit fëmijët tanë për të ardhmen që i pret. Drejtësia ende nuk është aq e shpejtë, aq efikase dhe aq e pavarur sa duhet të jetë. Kjo është e vërteta. Dhe e vërteta duhet thënë hapur: Kosova është lodhur nga krizat. Kosova është lodhur nga konfliktet e përditshme. Kosova është lodhur nga arroganca, nga propaganda, nga fajësimet dhe nga premtimet e pambajtura”, deklaroi ai.
Hamza tha se qytetarët kërkojnë stabilitet dhe rezultate konkrete.
“Qytetarët nuk duan më drama dhe nuk duan më arsyetime. Qytetarët nuk duan më një qeveri që lufton me të gjithë, por nuk i zgjidh problemet e askujt. Qytetarët duan stabilitet. Duan kompetencë. Duan rezultate. Duan një qeveri që punon. Duan një kryeministër që di të udhëheqë. Dhe unë jam këtu për t’u zotuar para jush. Unë nuk vij për të sunduar. Vij për të shërbyer. Nuk vij për të ndarë. Vij për të bashkuar. Nuk vij për të prodhuar kriza. Vij për t’i ndalur krizat”, tha ai.
Duke folur për zgjedhjet, kandidati i PDK-së theksoi se qytetarët kanë para vetes dy alternativa.
“Njëra rrugë është rruga e krizës, e përçarjes, e konfliktit, e izolimit dhe e arrogancës. Rruga tjetër është rruga e zhvillimit, e stabilitetit, e bashkëpunimit, e punës dhe e rezultateve. Ne jemi rruga e dytë. Rruga e qytetarëve. Rruga e Kosovës”, deklaroi Hamza.
Ai kritikoi qeverisjen aktuale, duke thënë se vendi nuk ka më kohë për eksperimente politike.
“Gjashtë vjet janë mjaft! Kosova nuk ka më kohë për një qeveri që e mëson punën duke gabuar mbi kurrizin e qytetarëve. Gjashtë vjet janë mjaft! Kosova nuk ka më kohë për njerëz që për çdo dështim e gjejnë një armik, por për asnjë problem nuk e gjejnë një zgjidhje. Gjashtë vjet janë mjaft! Mjaft është mjaft! Kosova ka nevojë për qeverisje serioze. Ka nevojë për plan. Ka nevojë për udhëheqje që dinë të punojë. Ka nevojë për udhëheqje që e kupton shtetin, ekonominë dhe institucionet. Ka nevojë për udhëheqje që i respekton qytetarët. Për udhëheqje të përgjegjshme. Për udhëheqje llogaridhënëse”, tha ai.
Hamza akuzoi kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për keqpërdorim të institucioneve.
“Sepse për gjashtë vjet, Kurti e përdori shtetin sikur të ishte pronë e tij. I përdori institucionet për pushtet. I përdori financat publike për propagandë. I përdori vendimet e Qeverisë, jo për t’i ndihmuar qytetarët, por për ta shpëtuar pushtetin e vet”, tha ai.
Kandidati për kryeministër premtoi llogaridhënie dhe masa konkrete ekonomike në rast të ardhjes në pushtet.
“Do të ketë llogaridhënie për paratë publike. Do të ketë llogaridhënie për vendimet e dyshimta. Do të ketë llogaridhënie për abuzimin me shtetin. Do të ketë llogaridhënie për çdo euro të taksapaguesve që është përdorur për interesa partiake e jo për qytetarët. Sepse shteti nuk është pronë e një njeriu. Paratë publike nuk janë fond partiak. Institucionet nuk janë mburojë për pushtetin. Në Republikën e Kosovës, pushteti buron nga qytetari. Dhe pushteti duhet t’i përgjigjet qytetarit”, deklaroi ai.
Ai shtoi se PDK-ja ka hyrë në garë me program dhe zotime konkrete.
“Kemi ardhur me program. Kemi ardhur me vendime konkrete. Kemi ardhur me zotime të qarta. Nga dita e parë e Qeverisë sonë, prioriteti ynë do të jetë qytetari”, tha Hamza.
Mes premtimeve kryesore, ai përmendi uljen e TVSH-së për produktet bazë, rritjen e pagave dhe pensioneve, mbështetjen për bizneset dhe investimet në energji, infrastrukturë, arsim, shëndetësi dhe drejtësi.
“Do t’i rrisim pagat. Do t’i rrisim pensionet. Do t’i mbështesim bizneset. Do të hapim vende të reja të punës. Do të investojmë në energji, në infrastrukturë, në shkolla, në spitale dhe në drejtësi. Sepse ekonomia nuk është teori. Ekonomia është buka në tavolinë. Është paga në fund të muajit. Është çmimi i rrymës. Është çmimi i miellit, i vajit, i qumështit. Është mundësia që një i ri ta ndërtojë jetën e vet në Kosovë”, tha ai.
Në fund, Hamza u bëri thirrje qytetarëve që të dalin në votime dhe të mbështesin ndryshimin.
“Jemi mbledhur për t’i thënë qartë dhe fuqishëm secilit qytetar, në secilën komunë, në secilën lagje, në secilin fshat. Ne jemi gati ta ndalim krizën. Ne jemi gati ta ndryshojmë Kosovën. Të dielën, ne e ndajmë votën. Një votë që ka një qëllim. Një votë me shpresë. Një votë për PDK-në. Të hënën, fillon ndryshimi i madh. Ne do të jemi Qeveria e re”, deklaroi Hamza.
“Kosova mund të bëhet më mirë. Kosova duhet të bëhet më mirë. Dhe nga e hëna e tutje, bashkë, ne do ta bëjmë Kosovën më mirë”, përfundoi ai./lajmi.net/