Kandidati për deputet nga LDK-ja, Ermal Sadiku, ka prezantuar një nga premtimet që, sipas tij, e ka më së shumti për zemër.
Ai ka vënë në fokus zhvillimin e industrisë së eSports në Kosovë, transmeton IndeksOnline.
Në një postim publik, Sadiku ka treguar lidhjen e tij të hershme me teknologjinë dhe lojërat elektronike, duke theksuar se është rritur pranë kompjuterit dhe se eSports mbetet hobi i tij më i rëndësishëm.
Sadiku ka vlerësuar potencialin e të rinjve kosovarë në këtë fushë, duke thënë se Kosova është e mbushur me talente të jashtëzakonshme dhe se, për kokë banori, renditet ndër vendet me më së shumti lojtarë Level 10 në Counter-Strike në Evropë.
“Prandaj ju premtoj se do të bëj çmos që një qytet i Kosovës të shndërrohet në qendrën më të njohur të eSports në Ballkan. Brenda mandatit, Kosova do të synojë të organizojë një Major ndërkombëtar të eSports” ka thënë ai.
Ky është postimi i plotë i Sadikut:
E kam lënë për fund premtimin që e kam më së shumti për zemër.
Jam rritur pranë kompjuterit më shumë se në fushat e sportit. Për mua, eSports është hobi më i rëndësishëm që kam. Mes një ndeshjeje të Fnatic kundër G2 dhe Barcelonës kundër Real Madridit, unë zgjedh League of Legends.
Kosova është e mbushur me talente të jashtëzakonshme në eSports. Për kokë banori, jemi ndër vendet me më së shumti lojtarë Level 10 në CS në Evropë.
Për mua, xPeke, s1mple dhe Puppey kanë qenë gjithmonë idhuj më të mëdhenj se Ronaldo apo Jordan.
Prandaj ju premtoj se do të bëj çmos që një qytet i Kosovës të shndërrohet në qendrën më të njohur të eSports në Ballkan. Brenda mandatit, Kosova do të synojë të organizojë një Major ndërkombëtar të eSports.
Sepse talenti ekziston. Të rinjtë ekzistojnë. Ajo që ka munguar deri sot është vizioni.
E lus çdo adhurues të LDK-së dhe eSports-it që ta bëjë tag veten këtu.