Gjini: Kthejani ëndrrën Kosovës – s’mund ta lëmë të varfër dhe të shkretë

Kandidati për kryeministër i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, ka mbajtur fjalim me tone mobilizuese, ku paraqiti vizionin e tij për një Kosovë më të zhvilluar, më të sigurt dhe më të dinjitetshme për qytetarët.
Në fjalimin e tij, Gjini tha se Kosova që ai e imagjinon është një vend me rrugë të mira e të pastra, me hekurudha, parqe, gjelbërim dhe furnizim të pandërprerë me energji elektrike.
“Unë e imagjinoj një Kosovë që ka rrugë të mira e të pastra, që ka hekurudha, që ka parqe e gjelbërim. E imagjinoj një Kosovë që nuk ndalet rryma kurrë. Kjo është çka shoh kur i mbylli sytë për me pa vendin tem”, tha Gjini.
Ai tha se vizioni i tij për Kosovën nuk lidhet vetëm me infrastrukturën, por edhe me jetën e përditshme të qytetarëve, me sigurinë, lumturinë dhe mirëqenien e tyre. Gjini tha se i imagjinon gratë, burrat, të rinjtë, të rejat dhe të moshuarit e Kosovës si njerëz të gëzuar, të sigurt dhe me besim se e ardhmja që i pret është më e mirë.
“I imagjinoj njerëzit e Kosovës të sigurt, duke e ditë se ajo çka i pret është e mirë. Kjo është qysh unë e imagjinoj Kosovën”, u shpreh ai.
Megjithatë, Gjini tha se vetëm imagjinata dhe nevoja për ndryshim nuk mjaftojnë. Sipas tij, për ta bërë Kosovën siç duhet, nevojiten guxim, këmbëngulje dhe punë.

Lexo edheKurti nuk i ndal thumbimet as në orët e fundit të fushatës: Nëse dikur kishim shtet për disa, tash për krejt
“Por veç me imagjinu dhe me pasë nevojë nuk mjafton, duhet me ditë qysh me i bë, me pasë guxim, këmbëngulje, zell – që i bie duhet me u çu në këmbë. Kosova duhet me u çu në këmbë dhe mos me u dorëzu”, tha Gjini.
Në fund të fjalimit, kandidati i AAK-së bëri thirrje për rikthimin e “ëndrrës së Kosovës”, duke thënë se vendi nuk mund të lihet “i varfër dhe i shkretë”.
“Kthejani ëndrrën e Kosovës. Duhet ta bëjmë qysh duhet. S’mund ta lëmë të varfër dhe të shkretë”, deklaroi Gjini.














