Shapkat me gisht nuk janë më vetëm një zgjedhje për plazhin. Në verën e vitit 2026, ato janë shndërruar në një nga tendencat më të forta të modës, duke kaluar pa vështirësi nga bregdeti në rrugët e qytetit.
Të frymëzuara nga pasarelat e markave më të njohura, versionet e këtij sezoni kombinojnë rehatinë me elegancën, duke u kthyer në një element të domosdoshëm të garderobës verore. Dhe një nga emrat më të mëdhenj të modës që i ka dhënë vulën këtij trendi është Bella Hadid.
Modelja e famshme u fotografua së fundmi në Saint-Tropez, ku u shfaq me një kombinim që përmbledh në mënyrë perfekte estetikën e verës 2026. Bella kishte zgjedhur një fustan midi të rrjedhshëm me jakë V nga Massimo Dutti, një model minimalist dhe pa mëngë që reflekton stilin elegant që po dominon këtë sezon.

Për ta kompletuar veshjen, ajo shtoi një çantë të thurur në nuancë kafe dhe një palë shapka lëkure me gisht, duke treguar se do i shohim kudo edhe këtë verë. Shapkat me gisht janë rikthyer fuqishëm në modë dhe po kombinohen me fustane elegante, kostume linoje dhe veshje të përditshme, duke u bërë një alternativë moderne ndaj sandaleve klasike.
Detajet nuk munguan as tek aksesorët. Bella zgjodhi bizhuteri ari për t’i dhënë më shumë elegancë paraqitjes së saj, mes tyre një varëse me kryq Chanel Gripoix, një unazë Chelsea Girl dhe një unazë ari 18 karatësh nga Shay e zbukuruar me diamante të bardha natyrale. Rezultati ishte një pamje e sofistikuar, që pasqyron në mënyrë perfekte frymën e modës së kësaj vere.

Nëse deri dje shapkat me gisht konsideroheshin vetëm një zgjedhje praktike për ditët në plazh, vera 2026 po dëshmon të kundërtën. Me mbështetjen e pasarelave dhe ikonave të stilit si Bella Hadid, ato janë zyrtarisht më të preferuarat e sezonit.