Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka anuluar aktivitetin e prokurimit për furnizim me kabina të votimit, proces i cili ishte inicuar për nevojat e organizimit zgjedhor.
Sipas dokumentit të publikuar, vendimi për anulimin e tenderit është marrë më 14 maj 2026, ndërsa procedura është ndërprerë pas hapjes së ofertave, shkruan IndeksOnline.
Tenderi kishte të bënte me furnizimin me kabina të votimit, ndërsa në garë kishte aplikuar vetëm një operator ekonomik.
Në arsyetimin e publikuar nga institucioni thuhet se anulimi është bërë për shkak se “një dispozitë në Ligjin e Prokurimit Publik kërkon anulimin e aktivitetit të prokurimit”. Megjithatë, KQZ nuk ka dhënë detaje shtesë lidhur me shkeljen apo problemin konkret që ka çuar deri te ndërprerja e këtij procesi.
Procedura ishte zhvilluar në kuadër të një kontrate publike për furnizim, ndërsa kriter për dhënien e kontratës kishte qenë oferta me çmimin më të ulët.
Anulimi i këtij tenderi vjen në një periudhë kur KQZ-ja po zhvillon përgatitje administrative dhe teknike për proceset zgjedhore, ndërsa mbetet e paqartë nëse institucioni do ta rihapë procedurën për furnizim me kabina të votimit në ditët në vijim./IndeksOnline/