Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, zhvilloi sot një takim me gjyqtarin Zenel Leku, Kryetar i Panelit për Ankesa dhe Parashtresa të Zgjedhjeve (PZAP), ku ritheksoi përkushtimin e BE-së për të mbështetur punën e pavarur dhe transparente të këtij institucioni.
Gjatë takimit, Ambasadori Orav theksoi rëndësinë që ka ruajtja e integritetit të procesit zgjedhor në Kosovë, veçanërisht në kontekstin e sfidave dhe presioneve të mundshme politike. Ai vlerësoi rolin e PZAP-it si një garant i drejtësisë zgjedhore, duke nënvizuar se puna e tij është thelbësore për demokracinë dhe të ardhmen evropiane të Kosovës, transmeton lajmi.net.
“Puna e ndershme dhe transparente e Panelit është jetike për forcimin e besimit të qytetarëve në proceset zgjedhore. Bashkimi Evropian do të vazhdojë të mbështesë institucionet e Kosovës që punojnë me përkushtim për një sistem demokratik të fortë dhe funksional,” deklaroi Ambasadori Orav.
Ky takim vjen në një kohë kur përgatitjet për proceset e ardhshme zgjedhore në vend po intensifikohen, dhe përforcon mesazhin e BE-së për mbështetje të pakushtëzuar për institucionet që kontribuojnë në transparencë, llogaridhënie dhe sundim të ligjit./lajmi.net/