back to top
Wednesday, December 10, 2025
BallinaOpinionePamfleti i Orwell-it për Kuvendin e Kosovës

Pamfleti i Orwell-it për Kuvendin e Kosovës

Të ngjajshme

Barça nuk lë vend për befasi, mposht Frankfurtin në “Camp Nou”

Barcelona ka fituar ndeshjen ndaj Eintracht Frankfurtit. Ata mposhtën “Shqiponjat”,...

Çka po ndodhë, Atalanta në epërsi ndaj Chelseat

Atalanta ka shënuar golin e epërsisë ndaj Chelseat. “Zikaltrit”, morën...

Konstituimi i Kuvendit të Kosovës nuk është triumf i demokracisë, por një farsë e përsëritur ku pushteti personal i Napoleonit vishet me kostum institucional. Derrat që ecin mbi dy këmbë nuk bëhen kurrë njerëz; ata vetëm përvetësojnë gjestet, fjalorin dhe simbolet e tyre për të sunduar më lehtë

Fadil Sahiti

Nëse George Orwell do të shihte konstituimin e Kuvendit të Kosovës, ai nuk do të kishte nevojë të shpikte ndonjë fabul të re. Do t’i mjaftonte të hapte përsëri fletët e “Fermës së Kafshëve”, sepse skena e përplasjes për pushtet në Prishtinë ngjan si një riprodhim i lodhshëm i asaj satire të pavdekshme, ku Napoleoni, derri i përjetshëm, gjithmonë del fitues.

Në sallën e Kuvendit, mes ceremonive të zhurmshme dhe duartrokitjeve të orkestruara, në fakt të gjithë e dinin se kush ishte sundimtari i vërtetë. Kryetari i Kuvendit, i zgjedhur me shumë bujë, ishte thjesht një figurë dekorative. Çelësat e hambarit i mbante Napoleoni. Ai nuk kishte nevojë të fliste gjatë, pasi prania e tij ishte e mjaftueshme për të treguar se çdo vendim i rëndësishëm do të kalonte përmes tij. Kryetari ishte vetëm çelësmbajtësi i hambarit, dhe dera e tij hapej vetëm kur ai, Napoleoni, e lejonte.

Pas muajsh kacafytjesh, sharjesh dhe thirrjesh të stërpërsëritura për “parime”, derrat papritur shpallën “dakordsinë”. Një marrëveshje që nuk kishte lidhje as me mirëqenien e fermës, as me barkun bosh të kafshëve që presin çdo ditë bar e ushqim, por vetëm me ndarjen e privilegjeve mes tyre. Orwell do të kishte shkruar se kjo ishte dakordsia më e rrezikshme: ajo që i bashkon grabitësit për të ndarë plaçkën, jo për të ngritur një rend të drejtë.

Në qoshe, sërish u përmend Snoubolli. Emri i tij, si gjithmonë, u përdor për të frikësuar turmën. Idetë e tij për barazi, ndarje të drejtë dhe ligje që vlejnë njësoj për të gjitha kafshët, u shpallën rrezik. Dhe qentë e Napoleonit – të ushqyer e të trajnuar për bindje të verbër – u hodhën mbi të, duke e përzënë nga çdo mundësi rikthimi. Snoubolli nuk ishte i pranishëm, por hijet e tij shërbenin si justifikim për çdo shtypje, një kujtim i përhershëm se alternativat duhet të shuhen që Napoleoni të mbretërojë.

Delet, të mësuara vetëm me parulla, blegëritën me zell:

“Një Kuvend, një Napoleon, një hambar për të gjithë derrat!”

Ky refren monoton mjaftonte për të krijuar iluzionin e konsensusit. Në realitet, askush nuk guxonte të pyeste pse hambari ishte gjithmonë bosh për të tjerët dhe gjithmonë i mbushur për derrat.

Kafshët e tjera – dhitë, pulat, lopët – qëndruan të hutuar. Disa duartrokitën nga frika, disa heshtën nga dorëzimi. Asnjë nuk besonte nëse do të ndryshonte ndonjë gjë. Vetëm gomari i vjetër, i lodhur nga vitet dhe zhgënjimet, pëshpëriti nën zë:

“Ndryshojnë vetëm emrat e derrave, por hambari kurrë nuk ndahet ndryshe. Napoleoni gjithmonë gjen mënyrën të rrijë mbi të tjerët, ndërsa ne vetëm shohim dhe presim.”

Orwell, me gjuhën e tij të mprehtë, do të kishte nxjerrë një përfundim të thjeshtë: konstituimi i Kuvendit të Kosovës nuk është triumf i demokracisë, por një farsë e përsëritur ku pushteti personal i Napoleonit vishet me kostum institucional. Derrat që ecin mbi dy këmbë nuk bëhen kurrë njerëz; ata vetëm përvetësojnë gjestet, fjalorin dhe simbolet e tyre për të sunduar më lehtë.

Në fund, pamfleti i Orwell-it do të mbyllej me një fjali të hidhur:

“Kosova e sotme është fermë ku derrat ecin mbi dy këmbë dhe ku demokracia është vetëm një parullë e shkruar mbi mur, e zëvendësuar sa herë që Napoleoni e do. Këtu nuk është populli që zgjedh udhëheqësit, por Napoleoni që zgjedh se cilët prej tyre do të duken si udhëheqës.”

Autori është profesor në fushën e Menaxhmentit dhe Zhvillimit Industrial në RIT Kosova (AUK).

- Advertisement -

Të Fundit

Sport

ShowBiz