Burgu është destinacioni i fundit për dënimin për ndonjë veprim jo të ligjshëm që kryen secili individit. Por, kohën e fundit, incidentet e ndodhura në burgjet kosovare, disa prej të cilave fatkeqësisht po përfundojnë edhe me vdekje, ngrenë alarmin për shqetësim, lidhur me mirëqenien e të burgosurve. Syri.net Kosova sjell më poshtë një rrëfim nga një ish i burgosur lidhur me kushtet në burgun ku qëndroi dhe mendimet e ekspertit të sigurisë, lidhur me çështjen në fjalë
Nga Erdonit Hoxha, SYRI KOSOVA.
Kumtimi i lajmit se për veprimin e kundërligjshëm që e bëri (therje), do e vuajë me burg, nuk ka qenë aspak i lehtë për ta pranuar për J.K-në (emër i njohur për redaksinë).
E, i lehtë për të nuk ka qenë as qëndrimi për një periudhë të caktuar, brenda katër mureve, siç është burgu, sidomos pjesa e ‘shoqërimit’ me njerëz që nuk i ke parë kurrë me sy.
Pa marrë parasysh shumë gjëra të tjera, për të riun kosovar, frika më e madhe ka qenë siguria e tij në burgu, pasi, mundësia e ndodhjes së ndonjë incidenti, ka qenë shumë herë e madhe.
Në një prononcim për Syri.net J.K tha se dita-ditës është ndjerë më i sigurt në burgun që qëndroi, në Lipjan, duke parë se sjellja karshi tij nuk ka qenë e keqe.
“Mund të them se siguria ka qenë në nivelin e duhur, mirëpo, në fillim padyshim që i kam pas ato mendimet dhe atë frikën se dikush do më bëj diçka, por, më pas e kam kuptu që, ndoshta tingëllon keq fjala burg, apo burgim, por, më pas mësohesh dhe i kalon ditët, duke prit momentin e daljes” tha ai.
I pyetur se a ndodhin provokime në burg, nga të burgosurit, apo, rojtarët, J.K tha se ka edhe provokime, por, thjesht duhet ditur se si të veprosh.
“Provokimet ekzistojnë, sikur në secilindo burg, por, ti duhet të jesh vigjilent dhe të mos biesh pre e tyre” theksoi ai.
Në burg pos provokimeve, shpeshherë është thënë se disa të burgosur mund të jenë më të privilegjuar se të tjerët, por, ai thotë se nuk ka hasur në raste të tilla.
Po ashtu, J.K ka folur edhe për kushtet elementare e higjienike, duke thënë se këto kushte varen edhe nga të burgosurit se si veprojnë.
“Krejt varet prej të burgosurve, nëse ekziston vullneti, padyshim që kushtet do jenë më të mira e më higjenike” përfundoi i riu.
Për kushtet e sigurisë në burgjet kosovare ka folur edhe eksperti i sigurisë, Drizan Shala.
Në një prononcim për Syri.net Kosova, Shala iu referua një vdekje brenda burgut të Prizrenit, që dyshohet se bëri vetëvrasje, duke thënë se është tragjike që të dënuarit në burgje po gjejnë hapësira, që të bëjnë akte të tilla.
“Kjo duhet të ngre një shqetësim brenda SHKK-së, që të bëhet monitorimi edhe brenda qelive dhe hapësirave të tjera, duke mos rrezikuar privatësinë, por, gjithmonë duke ruajtur personin që është i privuar nga liria” tha Shala.
Syri.net Kosova ka provuar që të kontaktojë edhe me Shërbimin Korrektues të Kosovës, për t’i pyetur rreth sigurisë në burgje dhe mundësinë e incidenteve të mundshme, por, ata nuk kanë qenë të gatshëm të flasin për ketë temë.
Kujtojmë që ka shumë raste që në burgjet e Kosovës, përpos dhunës së ushtruarve, ka pasur edhe raste që kanë përfunduar me vetëvrasje.
Si një nga ngjarjet me të mëdha dhe më të komentuara, të ndodhura në burgjet e Kosovës, është rasti i Astrit Deharit, i cili përfundoi i vdekur në qelinë ku qëndronte.