Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka njoftuar se nga sot mbi 161 specialistë të lëmive të ndryshme mjekësore filluan nënshkrimin e kontratave të punës për të nisur punën në Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës dhe në njësitë e saj.
Zemaj tha se beson në punën dhe profesionalizimin e tyre.
“Sapo takova grupin e parë të tyre, të cilët pas shumë viteve të pritjes dhe anatenimit të padrejtë nënshkruan kontratat e punës. Me krenari e them se me punësimin e këtyre specialistëve të fushave të ndryshme mjekësore, asnjë mjek specialist në Republikën e Kosovës nuk është i papunë”, shkroi Zemaj në Facebook.
Në mesin e tyre është edhe doktori nga Drenasi, Dr. Haki Jashai, i cili pos specializimit në QKUK ka të përfunduar edhe doktoraturën në njërin nga Universitet e njohura të Suedisë.
Jashari ka një numër të madh të punimeve shkencore në lëminë e mjekësisë dhe njihet si njëri nga kuadrot premtues për të ardhmen e mjekësisë.
Dr. Haki Jashari ishte shpallur shkencëtar i vitit 2016 në Kosovë. /DrenicaPress/