Vëllai i kryetarit të Rinisë Demokratike të Kosovës Donjet Bislimit, Donarti është punësuar sot në Ministrinë e Integrimeve Evropiane e cila drejtohet nga Dhurata Hoxha, po ashtu pjesë e PDK-së.
I punësuari në pozitën e zyrtarit të IT-së sipas një njoftimi të lëshuar nga MIE del të ketë siguruar maksimumin e pikëve për këtë post, gjithësej 90.3. Por, se ka pasur dorë në punësimin e vëllait të tij, Donartit drejtuesi i RDK-së mohon këtë.
“Jo aspak”, tha ai kur u pyet nga “Gazeta Blic” ku më pas shtoi se “Donarti ka përfundu shkollimin adekuat për atë drejtim dhe ka konsideru që mundet me jap kontributin e tij në atë drejtim”.
“Gazeta Blic” ka kontaktuar edhe zëdhënësin e kësaj ministrie Gëzim Dushi për të marrë një sqarim rreth mënyrës së përzgjedhjes së vëllait të kryetarit të RDK-së në atë pozitë, por ai nuk ka qenë i gatshëm të deklarohet, me arsyetimin se gjatë ditës ka qenë i angazhuar në një konferencë të organizuar nga ministria dhe nuk ka pasur informacione rreth këtij punësimi.
Ndërkohë “Gazeta Blic” ka arritur të sigurojë edhe dokumentin që dëshmon përzgjedhjen e Donart Bislimit, në pozitën e zyrtarit të IT-së.
Më herët organizata ÇOHU kishte publikuar një raport me punësimet partiake në pozitat e larta vendimmarrëse në institucionet publike.
Gjatë viteve 2015-2016 janë punësuar 116 zyrtarë të lartë që kanë lidhje me partitë politike. /Gazeta Blic/