Zëvendëskryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, janë parë duke cakërruar gotat, të mërkurën.
Numri dy i PDK’së dhe numri një i VV’së kanë biseduar me njëri-tjetrin, teksa kanë shijuar nga një gotë verë, në një ndejë të organizuar nga Ambasada e Bullgarisë.
Pranë Hoxhajt e Kurtit, në disa fotografi që ka siguruar Gazeta Express, shihet edhe ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi.
Diskutimet Hoxhaj-Kurti janë zhvilluar pasi Kuvendi i Kosovës të mërkurën ka dështuar, për herë të tretë me radhë, që ta miratojë, në një seancë të jashtëzakonshme, Projektligjin për shënimin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.
Projektligji për demarkacionin nuk i është paraqitur për votim deputetëve të Kuvendit, teksa koalicioni qeverisës nuk ka arritur t’i sigurojë votat e mjaftueshme për kalimin e tij.
Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të jetë kundër demarkacionit, ashtu sikurse edhe Lista Serbe.
Demarkacioni me gjasë do të ketë qenë një prej temave për të cilat kanë biseduar Hoxhaj e Kurti. /Express/

