Fatmir Limaj duket se ka marrë një rol të rëndësishëm në përpjekjen për zhbllokimin e situatës së krijuar me marrëveshjen për përcaktimin e kufirit me Malin e Zi. Gazeta Express ka siguruar një foto nga vizita e djeshme e Zëvendëskryeministrit në Ministrinë e Jashtme të Malit të Zi. Duket se tema e demarkacionin do të përmbyllet shumë shpejt; Kosova do ta ratifikojë marrëveshjen në Kuvend, kurse Mali i Zi do të pajtohet të shqyrtohen hollësisht vërejtjet e Kosovës për gabime eventuale në këtë proces.
Gjate ditës së djeshme është raportuar në media për një vizitë të Zëvendëskryeministrit Fatmir Liamj në Malin e Zi, por kofirmime zyrtare nga kabineti qeveritar në Prishtinë e as në Podgoricë nuk ka pasur.
Burime të Gazetës Express konfirmojnë një takim të afërt të Limajt me Ministrin e Punëve të Jashtëm të Malit të Zi, Serdan Darmanovic, dje në zyrën e këtij të fundit në Podgoricë.
Mësohet se dy zyrtarët kanë folur për opsionet sesi të zhbllokohet kjo situatë, e cila ka pamundësuar lëvizjen e lirë të kosovarëve në Zonën Shengen.
“Limaj dhe Darmanovic kanë diskutuar disa opsione për daljen nga ky ngërç. Zgjidhja duhet të jetë e pranueshme për të dyja palët”, ka mësuar Express nga burime brenda takimit.
“Dhe zgjidhja e kësaj çështje, lirisht mund të thuhet se është cështje ditësh”.
Gazeta mëson se zgjidhja mund të jetë që Kuvendi i Kosova ta ratifikojë marrëveshjen me Malin e Zi, përderisa autoritet e Podgoricës do të zotohen se janë të hapur për të diskutuar për gabimet eventuale në këtë proces.
Fatmir Limaj këto ditë ka qenë zyrtari i vetëm që ka lënë shpresë së çështja e demarkacionin do të mbyllet.
Gazeta Express ka siguruar një foto ekskluzive, të realizuar dje pas takimit të Zëvendëskryeministrit Limaj me Ministrin e Jashtëm të Malit të Zi.