Krahu i të dorëhequrve nga Lëvizja Vetëvendosje, në krye me Visar Ymerin dhe Dardan Molliqajn, në këtë fundjavë du t’i japin rrugë iniciativës së tyre për formimin e një partie të re.
Kështu ka bërë të ditur për “Gazeta Blic” një burim i afërt me Krahun e Molliqajt. Sipas këtij burimi, të shtunën e kësaj jave, do të hidhen hapat e pare drejt formimit të partiesë.
“Në këtë fundjave, do të mbajnë mbledhje krahu i të pakënaqurve në Lëvizjen Vetëvendosje, të cilët do të diskutojnë për formimin e partisë së re, gjë për të cilën pritet të ketë edhe ndonjë vendim konkret në këtë të shtunë”, ka thënë burimi i njëjtë për “Gazeta Blic”.
Lidhur me këtë çështje “Gazeta Blic” ka bërë përpjekje që të marrë qëndrimin e ish-kreut të VV-së Visar Ymeri, ish-sekretarit Dardan Molliqaj, ish-anëtares së Krysisë së VV-së Aida Dërguti dhe ish-nënkryetari Dardan Sejdiu, por përveç këtij të fundit asnjëri nga të apostrofuarit nuk është përgjigjur në thirrjet e redaksisë. Ndërkaq vetë Sejdiu, mohon të ketë informacione se këtë të shtunë do të hidhen hapat e parë drejt formimit të partisë së re.
“Asnjë informacion të tillë nuk e kam”, ka thënë shkurtimisht Sejdiu.
Se po krijohet partia e re, indikacione ka dhënë edhe vetë Molliqaj, u shprehur me bindje se Vetëvendosje do të ndahet.
“A ka shpresë? Nëse mbrëmë kam thënë publikisht se ka 2 për qind shpresë, sot mendoj që është më pak se 1 për qind shpresë”, është shprehur ai në RTV Dukagjini.
Ndërkohë, mbrëmë Radiotelevizioni i Kosovës ka publikuar një listë me emrat e zyrtarëve që do të jenë pjesë e partisë së re.


17 deputetë në Kuvendin e Kosovës do t’i ketë Lëvizja Vetëvendosje e 15 krahu i të dorëhequrve nga kjo parti në me krye Ymerin e Molliqajn.
Në këtë dokument janë të shkruar edhe inicialet e partisë së re që veten planifikojnë ta quajnë Socialë Demokratë.
Përplasjet në Vetëvendosje, dolën në sipërfaqe pas publikimit të bisedave private ndërmjet disa deputetëve të këtij subjekti politik, ku kishte edhe shprehje fyese në drejtuara ndaj Albin Kurtit.