Numri i aksidenteve me fatalitet është rritur krahasuar me vitin e kaluar. Sipas statistikave të Policisë së Kosovës për 11 muaj (janar-nëntor), në aksidente të ndryshme kanë vdekur 119 persona apo 19 persona më shumë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Përderisa janë shqiptuar afro 400 mijë tiketa trafiku për shoferët që kanë bërë kundërvajtje në trafik, raporton Gazeta Express.
Përgjatë këtyre 11 muajve kanë ndodhur 107 aksidente fatale në të cilat kanë humbur jetën 119 persona. Ndërsa përgjatë periudhës së njëjtë të vitit 2016 kanë ndodhur 89 aksidente fatale në të cilat kanë humbur jetën gjithsej 100 persona, shkruan Gazeta Express.
Edhe në vitin 2016 edhe në vitin 2017 kanë ndodhur mbi pesë mijë aksidente me persona të lënduar. 5817 aksidente me të lënduar ndodhën gjatë periudhës janar-nëntor 2017, apo 165 më shumë aksidente me persona të lënduar sesa në vitin 2016.
Nga këto aksidente u lënduan rreth 11549 persona apo 490 persona më shumë se në vitin 2016.
Ndërkaq numri i aksidenteve me persona të lënduar dhe pa persona të lënduar arrin në 16122 aksidente (janar, nëntor 2017). Policia e Kosovës gjatë kësaj periudhe ka shqiptuar 371,976 tiketa trafiku.
“Policia e Kosovës vazhdon të apelojë tek te gjithë pjesëmarrësit në trafik në veçanti drejtuesit e automjeteve, që të jenë vigjilent dhe të respektojnë rregullat që dalin nga ligji i trafikut; t’i përmbahen shpejtësisë se përcaktuar me shenjat e trafikut, t’iu përshtaten kushteve të rrugës dhe atyre atmosferike, si dhe mos të përdorin telefonat gjatë ngasjes se automjeteve sepse me veprime të tilla jo të sigurta po kontribuojnë në shtimin e aksidenteve dhe humbjen e jetëve të njerëzve në trafik”, thuhet në përgjigjen elektronike të Policisë dhënë Gazetës Express.