Monday, July 21, 2025
BallinaBujqësiBizneset humbin qindra mijëra euro nga reduktimet dhe energjia elektrike jocilësore

Bizneset humbin qindra mijëra euro nga reduktimet dhe energjia elektrike jocilësore

Të ngjajshme

Ndonëse ligji i “kufizon”, Kurti thotë se s’po ndalen duke punuar shumë

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti i “siguroi” qytetarët se...

Policia gjen armë në Mitrovicë të Veriut

Sot rreth orës 14:05, njësitë policore në kuadër të...

Beckham pret flokët dhe Victoria nuk është aspak e lumtur

Victoria Beckham ka shpërndarë një video të bashkëshortit të...

Energjia elektrike jocilësore, si dhe ndërprerjet e shpeshta të saj në këtë kohë acari, ua kanë shkaktuar qindra mijëra euro humbje prodhuesve vendorë. E tëra kjo, sipas prodhuesve vendorë, e rëndon procesin e prodhimit dhe është gjasë potenciale që bizneset e tyre t’i tërheqin nga Kosova. Mungesa e energjisë elektrike po i detyron ata t’i shpenzojnë deri në 60 litra derivate në orë.

Për këto ndërprerje të energjisë elektrike ka folur zëdhënësi i Kompanisë së Kosovës për Distribuim dhe Furnizim me Energji (KEDS), Viktor Buzhala, i cili ka thënë për gazetën “Epoka e re”, se nuk mund të flitet për reduktime, mirëpo mospasja e energjisë elektrike në disa zona ka ndodhur shkaku i kushteve atmosferike. “Nuk mund të flitet për reduktime, por për ndalesa si pasojë e prishjeve të shkaktuara në rrjet që kanë ardhur nga moti ekstrem. Zonat më të prekura kanë qenë rajoni i Pejës, i Mitrovicës, i Gjakovës e i Prizrenit. Shumica e prishjeve tashmë janë evituar, pavarë- sisht prej faktit se kishte shumë shtylla të thyera dhe përçues të këputur”, ka thënë Buzhala, duke shtuar se KEDS-i ka bërë maksimumin dhe ka intervenuar me kohë. “KEDS-i ka bërë maksimumin që të intervenojë me kohë në të gjitha rastet. Vazhdimisht mbi 500 punëtorë kanë qenë në terren. Por, ju e dini se shumë rrugë kanë qenë të pakalueshme, pra të bllokuara nga reshjet e borës. Kjo në disa raste e ka vonuar intervenimin. Por, me t’u ndaluar reshjet dhe t’u zhbllokuar rrugët, KEDS-i menjëherë i ka sanuar prishjet, duke përfshirë edhe zonat më të thella malore, përkatësisht terrenet në bjeshkë, si Shalën e Bajgores, Rugovën dhe Dragashin me rrethinë”, ka deklaruar Buzhala.
Me deklaratën e Buzhalës nuk është pajtuar pronari i kompanisë “Meka”, Burim Piraj. Ai ka thënë për gazetën “Epoka e re”, se KEDS-i nuk ka bashkëpunuar fare me ta. Sipas tij, KEDS-i nuk është duke e respektuar marrëveshjen që në rast të shkyçjeve, të informohen 24 orë më parë. “KEDS-i nuk ka aspak bashkëpunim me ne dhe as që i interesojnë problemet e biznesit. Për të është e rëndësishme t’i zbatojë kërkesat nga ‘lart’ ashtu siç janë mësuar të thonë punëtorët dhe kur atyre u vjen ‘telegrami nga lart’, e që e kanë fjalën nga Prizreni ose Prishtina, e shkyçin energjinë pa kurrfarë paralajmërimi. Ne kemi marrëveshje që kur ka shkyçje ata duhet të na lajmërojnë së paku 24 orë më parë”, ka thënë Piraj.
Ai ka shtuar se mungesa e energjisë elektrike, reduktimet e përditshme, si dhe furnizimi jocilësor paraqesin problem në kushtet e të bërit biznes. “Mungesa e energjisë elektrike është një prej problemeve të mëdha që kemi ne si kompani vazhdimisht. Gjatë tërë vitit kemi pasur reduktime nga katër orë në ditë, me pretekstin se po bëhen meremetime të rrjetit mirëpo, në fakt, kanë qenë reduktime klasike që na kanë shkaktuar shumë humbje kohe dhe harxhime shtesë. Duhet të theksohet se, përveç mungesës, ne përballemi edhe me furnizim jocilësor të energjisë elektrike e që shpesh tensioni është nën çdo nivel. Kështu që, jemi të detyruar të përdorim korrektorë të tensionit për të mundësuar funksionim të rregullt të makinerive dhe pajisjeve të instaluara në fabrikë”, ka deklaruar ai, duke shtuar se problemet e energjisë elektrike do t’i detyrojnë ta largojnë biznesin nga Kosova pasi, sipas tij, operimi me gjenerator kap kosto të lartë, të cilën biznesi i tij prodhues s’mund ta përballojë.
“Humbjet janë shumë të mëdha. Unë nuk po dua të cek shifra, mirëpo fabrikat e mëdha, siç është e jona, kanë nevojë për gjeneratorë të mëdhenj, mos të them gjigantë dhe gjeneratorët e tillë kanë harxhim marramendës. Sikur të punojmë një muaj me gjenerator le që nuk do të krijonim fitime, por do të pësonim humbje të konsideruara, të cilat do të na detyronin të ndërmarrim hapa radikalë, ndoshta edhe për bartje të biznesit në Shqipëri, ose në një vend më afër Kosovës ku do të mund të na garantohej furnizim 24 orë me energji elektrike”, ka deklaruar Piraj. Edhe afaristi Shaqir Palushi nga kompania “RELAX” ka thënë për gazetën “Epoka e re” se reduktimet e energjisë elektrike tani janë bërë kronike, sidomos kohën e fundit.
Ai ka shtuar se reduktimet e energjisë elektrike biznesit të tij i shkaktojnë harxhime në vlerë qindra mijëra eurosh.
“Ndërprerjet e energjisë elektrike, me përkeqësimin e kohës, janë shtuar dhe sigurisht e kanë rënduar mundësinë e prodhimit dhe e kanë rritur koston, sepse ne jemi detyruar të përdorim gjeneratorë që shpenzojnë 60 litra derivate të naftës në orë. Përveç shpenzimeve që lidhen me gjeneratorët, krijohen edhe humbje, sepse në momentin e ndërprerjes e deri tek aktivizimi i gjeneratorit, krijohet një humbje. Gjithsesi humbjet nga mungesa e energjisë elektrike janë qindra mijëra euro”, ka thënë Palushi.
Ai ka bërë me dije se do të ishte i gatshëm të participonte për ndonjë linjë të veçantë të furnizimit me energji, vetëm që të marrë fund problemi i energjisë elektrike./epokaere.com/
- Advertisement -

Të Fundit