Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE), ka njoftuar të gjithë konsumatorët e energjisë elektrike, se ka filluar me sukses vazhdimi i liberalizimit të tregut të energjisë elektrike.
Sipas ZRRE-së ky proces përbën një hap të rëndësishëm dhe të shumëpritur drejt ndërtimit të një tregu të hapur, konkurrues dhe transparent, i cili do të ofrojë më shumë mundësi për konsumatorët që të zgjedhin lirshëm furnizuesin e tyre të energjisë elektrike.
“Liberalizimi i tregut synon të sjellë përfitime konkrete për konsumatorët përmes rritjes së konkurrencës ndërmjet furnizuesve, përmirësimit të cilësisë së shërbimit dhe krijimit të kushteve të favorshme për çmime transparente dhe në parime të tregut të lirë. Ky është një hap thelbësor drejt përmbushjes së standardeve evropiane dhe integrimit të plotë të tregut të energjisë së Kosovës në tregun rajonal dhe atë evropian”, thuhet në njoftimin e ZRRE-së.
ZRRE fton të gjithë konsumatorët e kualifikuar për të dalë në treg të lirë që ende nuk kanë përzgjedhur furnizuesin e tyre të energjisë elektrike, që të ndërmarrin veprimet e nevojshme për të gjetur furnizuesin më të përshtatshëm sipas nevojave të tyre dhe kushteve më të favorshme që ofron tregu.
“Çdonjëri nga këta konsumator obligohen të zgjedhin lirshëm furnizuesin e tyre në tregun e hapur, duke u bazuar në oferta që përputhen me profilin dhe kërkesat individuale të konsumit. Konsumatorët që mbesin pa furnizues, kalojnë automatikisht te Furnizuesi i Mundësisë së Fundit (FMF), por ZRRE thekson se qëndrimi te FMF është një mundësi e fundit për furnizim të garantuar, dhe se ky furnizim nuk përfaqëson një zgjidhje të qëndrueshme, e as kushte të volitshme për konsumatorët”, thuhet tutje në njoftim.
Sipas ZRRE, Furnizuesi i Mundësisë së Fundit duhet të shihet si një zgjidhje e përkohshme, deri në zgjedhjen e një furnizuesi nga ana e konsumatorit i cili zgjatë jo më shumë se 60 ditë.
“ZRRE, informon se për te gjithë konsumatorët që janë duke u furnizuar nga Furnizuesi i Mundësisë së Fundit është siguruar energjia përmes bursës Shqiptare (APLEX). Për të lehtësuar këtë proces, ZRRE ka publikuar në faqen zyrtare www.ero-ks.org listën e furnizuesve të licencuar të energjisë elektrike dhe ka vënë në dispozicion udhëzime praktike për mënyrën e përzgjedhjes së furnizuesit, krahas informacioneve për të drejtat dhe obligimet e konsumatorëve në tregun e liberalizuar”, thuhet më tej në njoftim.
ZRRE thekson se mbetet e përkushtuar që të sigurojë një treg të drejtë, funksional dhe në shërbim të konsumatorit, duke vazhduar angazhimin për monitorim aktiv, informim të rregullt dhe mbrojtje të interesit të konsumatorit final. /Telegrafi/