Zhduket një person nga Kaçaniku, familja kërkon ndihmën e qytetarëve

Milazim Jaha, 44-vjeçar banor i fshatit Stagovë në Kaçanik, është raportuar i zhdukur.
Familjarët e tij kanë konfirmuar rastin për Klankosova dhe u kanë bërë thirrje qytetarëve që, nëse kanë ndonjë informacion që mund të ndihmojë në gjetjen e tij, ta ndajnë atë me familjen ose me Policinë e Kosovës.
Për rastin është deklaruar edhe policia në Ferizaj.
Sipas zëdhënësit të policisë atje, Kanun Veseli, personi kishte dalë rreth orës 12:00 nga banesa dhe nuk ishte kthyer më.
“Më datën 12.07.2026, rreth orës 20:00, në stacionin policor në Ferizaj është paraqitur një qytetare, e cila ka raportuar se bashkëshorti i saj, M.J., rreth orës 12:00 kishte dalë nga banesa dhe nuk ishte kthyer më. Ata kanë rreth dy muaj që jetojnë në Ferizaj, ndërsa bashkëshorti i saj vuan nga probleme shëndetësore që lidhen me humbjen e kujtesës, për çka dyshohet se nuk ka mundur ta mbajë mend adresën e banimit. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori i shtetit, i cili ka udhëzuar inicimin e rastit “Person i zhdukur”, deklaroi Veseli.

Lexo edheKy është personi që mbeti i plagosur sonte në Pejë
Ai tanimë është zhdukur që tre ditë, ndërsa familjarët bënë te ditur se Milazim Jaha vuan nga probleme shëndetësore.
Kushdo që ka informacione mund të kontaktojë në numrin e telefonit 049 579 436.














