Kryeministri i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, ka thënë se shumë shpejt pritet formimi i koalicionit të ri qeverisës. Gjukanoviq tha se do të qeverisë me partnerët tradicionalë të koalicionit, bashkë me të cilët ka 42 vende, njofton Klan Kosova.
Partia Demokratike e Socialistëve, fitoi shumicën e votave në zgjedhjet e djeshme, por për të arritur shumicën parlamentare do t’i duhet të kërkojë mbështetjen e partive të pakicave dhe Social-Demokratëve.
Sipas të dhënave të publikuara mbrëmë nga Qendra për Demokraci, partia e Gjukanoviq ka fituar 41.1 për qind të votave, ose 36 mandate.
Për koalicion Gjukanoviqit do t’i duhen boshnjakët që kanë fituar 3.3 për qind, apo dy vende, Social Demokratët me 3.2 të mbështetje dhe po ashtu Listat shqiptare që ka fituar një ulëse në Parlament.
“Në muajt e ardhshëm ne do të ratifikojmë protokollin e anëtarësimit në NATO. Po ashtu, do të intensifikojmë negociatat me BE-në dhe deri në fund të këtij mandati do t’i përfundojmë ato”, tha Gjukanoviq.
Por, dëshirën për të mbledhur votat e pakicave dhe për të formuar Qeverinë e re e kanë shprehur edhe partitë opozitare.
Fronti Demokratik, të cilët kanë fituar 20.8 për qind të votave, apo përkthyer në mandate i bie të ketë fituar rreth 18, preton të bëjë një koalicion të gjerë bashkë me grupin opozitar “Çelësi”, që ka fituar 10.8 për qind, ose nëntë ulëse dhe Demokratët me 10.1, apo tetë ulëse.
Gjithsesi, në ditët në vijim do të dihet se kush do të formojë qeverinë e re – do të vazhdojë Gjukanoviq që edhe pas 25 vjetësh të jetë në krye të Malit të Zi, apo do të largohet pas udhëheqjes 25 vjeçare në krye të malazezëve nga pozita të ndryshme shtetërore.