Volodymyr Zelenskyy është i gatshëm të shkojë në zgjedhje të parakohshme, por vetëm nëse pranohet plani prej 20 pikash i përgatitur nga ai dhe aleatët e Bashkimit Europian. Në një reagim pas takimit me Kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni, Zelenskyy foli edhe për aleancën me Trump. Por ndërkohë ka ardhur një reagim i ashpër nga Vladimir Putin i cili ka theksuar se rajoni i Donbasit është rus dhe nuk do të jepet kurrë
“Unë jam gjithmonë gati për zgjedhje”. Kështu ka bërë me dije Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky në një prononcim për La Repubblica-s ndërsa po largohej nga Roma pas takimit me Kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni. Udhëheqësi ukrainas gjithashtu u informua për intervistën e Donald Trump dhënë për Politico, në të cilën manjati e sulmoi atë duke thënë se: “Ukrainasit po e përdorin luftën për të shmangur mbajtjen e zgjedhjeve, por mendoj se populli ukrainas duhet ta ketë këtë zgjedhje. Dhe ndoshta Zelensky do të fitonte, nuk e di. Por ata nuk kanë pasur zgjedhje për një kohë të gjatë”, tha Trump. Në një reagim të tijën pas takimit me Giorgia Melonin, Presidenti ukrainas tha se pati rezultate të mira dhe “shumë domethënës në të gjitha aspektet e situatës diplomatike”. “Ne mbështetemi shumë në mbështetjen e vazhdueshme të Italisë; është e rëndësishme për Ukrainën”, shtoi ai në një postim në X.
Volodymyr Zelensky është shprehur edhe për planin e paqes me Rusinë, ku për herë të parë ka përmendur 20 pika të cilat janë të përgatitura nga BE dhe Ukraina dhe në të njëjtwn kohë do ti bëhen të ditura Presidentit Amerikan, Donald Trump. ‘
“Ne kemi diskutuar me ekipin tonë negociator rezultatet e punës në Londër, të kryer në nivelin e Këshilltarëve të Sigurisë Kombëtare të partnerëve tanë evropianë. Ne po punojmë shumë aktivisht mbi të gjitha komponentët e hapave të mundshëm drejt përfundimit të luftës. Komponentët ukrainas dhe evropianë tani janë më të zhvilluar dhe ne jemi të gatshëm t’ua paraqesim ato partnerëve tanë në Shtetet e Bashkuara. Së bashku me palën amerikane, presim që shpejt t’i bëjmë hapat e mundshëm sa më të realizueshëm të jetë e mundur”, shkroi Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky në X.
Por një reagim i ashpër ka ardhur nga Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, i cili gjatë një takimi me Këshillin për të Drejtat e Njeriut ka deklaruar se Donbasi ka qenë gjithmonë pjesë e territorit rus dhe të gjitha qëllimet e Operacionit Special Ushtarak me siguri do të arrihen.
“Padyshim do ta çojmë çështjen në përfundimin e saj logjik, në arritjen e qëllimeve të Operacionit Special Ushtarak”, tha presidenti. Donbasi është pjesë e Rusisë dhe ky është një fakt historik, dhe shteti u krijua për të përfshirë pikërisht këto territore, kujtoi presidenti. Kjo është arsyeja pse është e rëndësishme të rifitohet kontrolli mbi to, shpjegoi ai. “Është thjesht një gjë e njohur, një fakt historik. Edhe gjatë formimit, themelimit të Bashkimit Sovjetik, pati një mosmarrëveshje, siç e përmenda tashmë. Donbasi u bë pjesë e RSFSR-së, dhe më pas Vladimir Ilyich vendosi, siç tha ai – kjo është direkt nga dokumenti – ‘të ndryshonte mendje’. Dhe ai ‘ndryshoi mendje’, dhe kaq – Donbasi iu dha Ukrainës. Kështu ndodhi e gjitha”, kujtoi presidenti.