Rasti i Hamide Magashit | Pas vrasjes së gruas shtatzënë në oborrin e QKUK-së, policët e suspenduar u rikthyen në detyrë

Agron Hasanaj, drejtor rajonal i Policisë së Kosovës në Pejë, Ndue Nikolla, major dhe shef i Hetimeve Rajonale, Faik Jahmurataj, kapiten dhe komandant i Stacionit Policor në Pejë, Dervish Haxhijaj, zëvendëskomandant në këtë stacion, Sami Lekaj, komandant i Nënstacionit Policor në Vitomiricë, si dhe Faruk Muçolli, shef i Hetimeve në Stacionin Policor në Pejë, janë në mesin e 11 zyrtarëve policorë të cilët janë suspenduar sot nga puna me rekomandimin e Inspektoratit Policor të Kosovës.
Sipas IPK-së, ky vendim ka ardhur pasi të njëjtit kanë dështuar në përmbushjen e obligimeve të tyre si policë në rastin e të ndjerës Arlinda Zekaj.
Ngjashëm si me këtë rast, edhe për vrasjen e Hamide Magashit, 35-vjeçares e cila në muajin e nëntë të shtatzënisë u vra nga bashkëshorti i saj në oborrin e QKUK-së, ishin suspenduar zyrtarë policorë. Madje, të njëjtit kishin përfunduar edhe me kallëzim penal.
“Inspektorati Policor i Kosovës ju konfirmon se ka hetuar rastin penal ndaj katër zyrtarëve policorë të Stacionit Policor në Lipjan, nën dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprën penale ‘Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’, dhe për këtë shkak ndaj tyre është rekomanduar suspendimi me pagesë. Pas mbledhjes së dëshmive, IPK-ja ka bërë të ditur se, në konsultim me Prokurorin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, ka ngritur kallëzim penal ndaj tre të dyshuarve (një rreshteri dhe dy hetuesve të Stacionit Policor në Lipjan) për veprën penale ‘Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’, ndërsa ndaj komandantit të Stacionit Policor në Lipjan ka bërë kërkesë për inicim të procedurës disiplinore në Drejtorinë për Hetime të Brendshme dhe Verifikim të së Kaluarës në Policinë e Kosovës”, thuhej në komunikatën e IPK-së në vitin 2023.

Lexo edhePlagoset me thikë një 60-vjeçar në Korçë, policia kap autorin e dyshuar
Mirëpo, pa kaluar shumë kohë nga suspendimi me pagesë, të njëjtit ishin kthyer sërish në punë.
“Pas përfundimit të veprimeve hetimore, dorëzimit të kallëzimit penal në Prokurorinë Themelore në Prishtine dhe kërkesës për hetim disiplinor në PK, IPK ka njoftuar Drejtorin e Përgjithshëm të PK-së, se shkaqet e suspendimit të katër zyrtarëve policor të Stacionit Policor në Lipjan kanë pushuar”, thuhej tutje në përgjigjen e IPK-së.












